Rama: Po grabitet pasuria

03/09/2010 19:35

Kryesocialisti Rama nuk e mohoi që e njeh Dritan Avllajn. Personin që është bashkëpronar me Arian Tartarin, partnerin e deputetes Albana Vokshi, në kompaninë “Vizion construction”. (UPDATE)

Por zoti Rama i sfidoi gazetarët dhe politikanët e djathtë që të bëjnë publike lejen që “Vizion construction” thuhet se ka marrë për ndërtim te liqeni, në këmbim të aksioneve për të njohurin e tij.

“Përgjigjja ime është e thjeshtë dhe e prerë: kur të më tregoni lejen, mund të vazhdojmë bisedën. Nuk ka leje ndërtimi që të ketë rrjedhur nga ajo kontratë. Dhe në rast se në këto kontrata, figurojnë njerëz të njohur nga unë, kjo nuk do të thotë asgjë”, është shprehur Rama.

Për këtë çështje Top Channel pyeti pranë Bashkisë së Tiranës, ku iu konfirmua se për momenti nuk është depozituar asnjë kërkesë për leje ndërtimi për zonën te Liqeni. Kurse për çështjen e dhënies së konçesioneve, zoti Rama thotë se socialistët kanë nxjerrë dokumenta konkretë që provojnë konfliktin e interesit të deputetëve apo ministrave demokratë, për të cilët prokuroria duhet të hetojë.

“Nuk ka nevojë Prokuroria të ketë mbrojtje nga politika për të filluar hetimin për 1.8 mln euro fitim brenda një viti të deklaruar nga një person që është ministri i Ekonomisë së vendit. Nuk ka nevojë Prokuroria për mbrojtje politike për të hetuar për akuzat, konkretisht shpifjet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nuk ka nevojë prokuroria për më shumë mbrojtje politike për të shqyrtuar gjithë këtë proçes konçesionesh për të parë konformitetin me ligjin, duke filluar nga ligji për konfliktin e interesit që është shkelur në mënyrë spektakolare, por duke vazhduar më gjithë kuadrin ligjor për konkurrencën dhe kështu me rradhë”, tha Rama.

Kryetari i PS-së siguroi se partia e tij do të vazhdojë atë që ai e quan proçes transparence edhe në ditët në vijim. Kurse për çështjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, zoti Rama konfirmoi negociatat në vazhdim me demokratët:

“Do të dëshiroja të mos flisnim për një proçes negociimi që vazhdon edhe tani që po flasim. Shumë shpejt një përfundim do të ketë, unë uroj pozitiv, ndonëse gjasat deri tani nuk ngjajnë fort të tilla”, theksoi Rama.

Nuk mungoi në këtë bashkëbisedim as argumenti ekonomik, lajtmotiv prej disa kohësh i daljeve publike të kryetarit të socialistëve. Sipas tij, ndërkohë që qeveria flet për mrekulli ekonomike, ekonomia reale është në krizë, me tregues të tillë si çmimet e rritura, niveli i papunësisë, rritja e borxhit të brendshëm apo e kredive të këqija.

Top Channel