HEC-i i Zhurit, Berisha: Zgjidhja, në interesin kombëtar

03/09/2010 12:50

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se procesi i negociatave mes të mandatuarve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për zgjidhjen e situatës politike është serioz dhe do të shkojë më tutje.

Shefi i qeverisë në një konference për media me homologun e tij kosovar, Hashim Thaci, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë, deklaroi se po zhvillohen bisedime në nivel ekspertësh për hidrocentralin e Zhurit dhe se zgjidhja më e mirë do të jetë ajo në interesin kombëtar.

Duke folur për cështjen e Kosovës dhe për sesionin e ardhshëm të OKB-së ku pritet që të shqyrtohet rezoluta e hartuar nga Serbia, kryeministri Berisha theksoi se mirëpritet që Beogradi të përshtatet me realitetin tashmë të sigurtë, ku pavarësia është e padiskutueshme dhe se bisedimet mund të zhvillohen në nivelin teknik.

Nga ana e tij kryeministri Thaci deklaroi se Asambleja e Pergjithshme do te shenoje nje kapitull te ri dhe Kosova po ndërmerr në këtë drejtim angazhime të shumëanshme. Duke folur për rezolutën serbe, Thaci tha se zgjidhja më e mirë do të ishte tërheqja e saj, por ajo cfarë është më e rëndësishme për momentin ka të bëjë uniteti i BE-së për Kosovën dhe rajonin në tërësi.

“Me Serbinë duhet të hapet një perspektivë e bashkëpunimit mes dy vendesh të pavarura. Cështjet e tjera janë mbyllur njëherë e mirë”, tha Thaci.

Top Channel