Gjimnazet, nxënësit preferojnë qendrën

03/09/2010 08:45

Një pjesë e madhe e nxënësve, që i drejtohen shkollave publike me qëllim vijimin e arsimit të mesëm, kanë disa ditë që po orvaten sa nga njëra shkollë te tjera.

Shkak për këtë është bërë pamundësia për t’u regjistruar në njërin prej gjimnazeve të këtij qyteti.

Konkurrenca mes shkollave “Janaq Kilica” dhe “Perikli Ikonomi”, të njohur përkatësisht me titujt gjimnazi i vjetër dhe i ri, ka shkaktuar sorollatje të dhjetëra të rinjve që dëshirojnë të vijojnë arsimin e mesëm.

Synimi i të rinjve për të vazhduar një shkollë të mirë dhe me emër ka bërë që shumica e tyre të synojnë gjimnazin e vjetër, “Janaq Kilica”.

Por numri i limituar i nxënësve që do të pranohen në këtë shkollë ka shkaktuar kaos dhe radhë të gjata për regjistrime.

Drejtoresha e shkollës “Janaq Kilica”, Alketa Lugaj, ka thënë se sivjet në shkollën që ajo drejton, do të hapen dhjetë klasa të dhjeta me nga 35 nxënës secila, aq sa dhe premtojnë kushtet fizike të shkollës.

“Numri më i lartë i nxënësve është marrë me qëllim respektimin e kritereve që ka përcaktuar drejtoria arsimore. Radhët dhe kaosi për regjistrime ndodhin në shkollën “Janaq Kilica”, pasi kërkohen rezultate nga ana e të rinjve”, tha drejtoresha Lugaj.

Top Channel