Bulmeti shtrenjtohet 20 përqind

03/09/2010 20:50

Rritja e akcizës për ambalazhet plastike ka ndikuar direkt në rritjen e çmimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Shoqata shqiptare e prodhuesve të qumështit deklaron se rritja e çmimit për produktet përfundimtare shkon deri në 20%.

“Rritja akcizës sigurisht ndikon në rritjen e çmimit për konsumatorët, përveç ambalazheve, edhe produktet që përpunuesit blejnë për proçesin e përpunimit janë me ambalazhe plastike dhe i blejnë më shtrenjtë”, është shprehur Merita Uruçi, drejtore ekzekutive e ADAMA-s.

Sipas shoqatës së prodhuesve të qumështit, thuajse të gjithë fabrikat e përpunimit të qumështit, përdorin teknologji që ambalazhon me materiale plastike.

“Përpunuesit kanë investuar në teknologji goxha të shtrenjta dhe moderne, por që punojnë me materiale plastike, dhe këtë ata s’mund ta ndryshojnë nga sot nesër, ndaj çmimi do ketë rritje dhe në fund do jetë konsumatori ai që do e vuaj”, theksoi Uruçi.

Sipas saj, një tjetër problem që nuk po gjen zgjidhje për përpunuesit e qumështit, është mos rimbursimi i TVSH-së për produktin e gatshëm.

Ajo gjithashtu shton se një tjetër shkak që po ndikon në rritjen e kostos së prodhimit është edhe përdorimi i gjeneratorëve në fabrika, pasi energjia me të cilën furnizohen është me tensionin e duhur të kërkuar nga pajisjet dhe prodhuesit veç kostove të karburantit, kanë kosto edhe nga dëmtimi që pësojnë makineritë.

Top Channel