“Shtëpi” e re për deputetët

03/09/2010 19:55

Ndryshon pamja e sallës së seancave plenare. Një muaj pas mbylljes së sezonit gjithçka është shndërruar dhe mjediset e reja të rikonstruktuara janë gati për pritjen e deputetëve, gazetarëve dhe të të ftuarve.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk fsheh kënaqësinë, që një ndryshim i tillë u mundësua brenda një afati të sforcuar.

Duke u shpejguar gazetarëve me detaje të gjitha punimet dhe vështirësitë e punës njëmujore për të ndërhyrë në një godinë ku nuk ishte vënë dorë prej 60 vjetësh, zonja Topalli, nuk fsheh as frikën, që e ka shoqëruar, gjatë këtij muaji, nëse punimet do të mbylleshin deri kur të niste sezoni.

Por tani që çdo gjë është në vendin e vet, natyrisht të ri, kryetarja e parlamentit thotë se arritja më e madhe është imazhi e parlamentit të Shqipërisë.

“Unë jam e kënaqur që sot salla e Kuvendit të Shqipërisë ka pamjen e një Parlamenti Europian. Nuk mund të ndodhte ndryshe, kur gjithë Shqipëria ka ndryshuar, do të ndryshonte edhe salla e parlamentit. Në këtë sallë të parlamentit do të vazhdojmë të marrim vendime të rëndësishme për vendin tonë, e kalojmë reforma që kanë në fokusin interesa të qytetarëve shqiptarë. Në këtë sallë parlamenti së bashku me gjithë kolegët e tjerë, të majtë dhe të djathtë, do jeni dëshmitar të një prej vendimeve jetike që do të merret në javët që vijnë, do jeni dëshmitarë të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, vendim që do të mbetet në historinë e këtij kombi”, është shprehur Topalli.

Pas rikonsturksionit, vendosja e deputetëve është përcaktuar si në Parlamentin Europian, në formë harku, aq sa mund të lejonte hapësira e kufizuar e sallës, si dhe është vendosur një sistem i ri elektronik, ndër më modernët, që përveç votimit elektronik dhe shenjat e gishtit, u ofron deputetëve edhe proçesin audio, video, si dhe përkthimin simultan.

Ky parlament, siç thotë kryetarja e Kuvendit, ofron gjithçka në funksion të transparencës para qytetarëve.

Top Channel