Studentët nga trojet, pranimi me procedurë të veçantë

02/09/2010 08:10

Sivjet fakultetet do të hapin dyert për 6 mijë studentë të rinj, rreth 10 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Viti i ri akademik 2010-2011, në Universitetin e Tiranës pritet të startojë në muajin tetor, por ajo që vlen të theksohet është fakti se ai do të nisë me një sërë risish.

Një prej tyre janë ndryshimet e procedurave për kandidatët nga trojet. Nëse gjatë përvojave të kaluara ata zgjidheshin nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, tani ata do të pranohen nga vetë universitetet e vendit.

“Pjesa e studentëve nga Kosova, në Universitetin e Tiranës, nuk do të regjistrohet me procedurat e viteve të mëparshme, por marrëveshja midis dy qeverive ka përcaktuar që ata do të aplikojnë drejtpërdrejt në fakultetet e universiteteve shqiptare, atje ku duan. Tashmë përzgjedhja e tyre do të bëhet atje ku zhvillohet në çdo vend të Europës, pra në departamentet që mirëpresin dhe përgatisin specialistë të mirë në fushën e Mjekësisë”, tha Dhori Kule, rektor i UT-së.

E megjithatë këto nuk mbeten ndryshimet e vetme.

Risi janë evidentuar edhe në specializimet që realizohen në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërkohë rektori nuk lë pa përmendur edhe problemet me të cilat do të përballen studentët dhe pedagogët.

Kjo do të thotë që krahas të rejave, viti i ri akademik pritet të ketë edhe “avari” të karaktereve të ndryshme, ku më problematike mbetet mungesa e auditorëve ku do të zhvillohen seminaret dhe leksionet.

Kule tha se ndërtimi i kampusit deri përpara fillimit të këtij viti akademik do të kishte qenë përgjigjja më e mirë për zgjidhjen e kësaj situate, por siç duket edhe kësaj here ai ka mbetur një premtim i thjeshtë.

“Ndërkohë, ndryshimet e ligjit të ri të arsimit, të sapomiratuar, do të sjellin një riformatim të kurrikulave akademike.

Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë duhet që kurrikulat e ciklit të dytë t’i riformatojmë, pasi ka një klasifikim të ri të masterave”, tha Kule.

Për sa i përket stafit pedagogjik, ai shtoi se edhe për këtë vit do të ketë rekrutim të pedagogëve të rinj, numër që pritet të arrijë deri në 100.

Top Channel