Hetimi i zgjedhjeve, sot prova PD-PS

02/09/2010 08:40

Sot në 10:30, në selinë e Kryesisë së Kuvendit do të bëhet përballja e parë mes socialistëve dhe demokratëve për komisionin parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka thirrur konferencën e kryetarëve për ditën e sotme, ku do të përcaktohet edhe axhenda trejavore e punimeve të Kuvendit. Ligjet e mbartura nga dy sesionet e para, të cilat nuk kanë siguruar dot 84 votat, do të renditen të parat në listën e programit të punës së Kuvendit për tri javët në vazhdim.

Komisioni hetimor

Ngritja e komisionit të ri hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të shkuara do të diskutohet sot në Kryesinë e Kuvendit. PD dhe PS pritet të shkrijnë propozimet e tyre mbi një draft integral.

Ky hap do të ndërmerret sot në konferencën e kryetarëve dhe do t’i japë frymë kompromisit që u nis më 27 korrik mes dy kryetarëve të grupeve më të mëdha parlamentare, Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit. Konferenca e kryetarëve do të miratojë kalendarin trejavor të punimeve të Parlamentit, duke përfshirë së pari rreth 20 projektligje të pamiratuara për shkak të kompromisit, që nuk u gjet kurrë mes palëve përgjatë gjithë sesionit të shkuar parlamentar.
 
Axhenda për shtatorin

Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e lartë dhe atë Kushtetuese do të marrë prioritetin kryesor në sesionin e ri parlamentar.

Dekretet e Presidentit priten që të shpallen brenda kësaj jave dhe kandidatët do ti nënshtrohen edhe seancave dëgjimore në komisionin e ligjeve. Një tjetër çështje që pritet të vendoset në konferencën e Kryetarëve, ku do të jenë të pranishëm edhe dy negociatorët e muajit korrik, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi është ngritja e komisionit hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve. Konsensusi që ka ‘siguruar’ edhe votat për miratimin e një seri projektligjesh për kodin penal, civil, rrugor dhe detar të cilat kërkojnë 84 vota për tu miratuar priten të përfshihen në axhendën e fillimit të punimeve të Kuvendit.

Nisja e punës për ndryshimin e kodit elektoral është një tjetër çështje e propaganduar nga partitë politike për të nisur punën në fillim të sesionit parlamentar por gjithçka do të varet nga vullneti i palëve për të finalizuar ndryshimet në kod brenda kohës së duhur.

Top Channel