Dibër, probleme me shpërndarjen e librave

02/09/2010 08:35

Ndonëse edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri shkollor, problem shqetësues në rajonin e Dibrës mbetet ende shpërndarja e librave shkollorë për nxënësit.

Kështu, nëse në qendrat e rretheve si Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel ka nisur prej dy ditësh shpërndarja e librave, në zonat e thella malore shpërndarja e librave pothuajse nuk ka filluar ende.

Shkak për këto vonesa kanë qenë distributorët e shpërndarjes së teksteve shkollore në rrethet përkatëse, pasi nuk gëzojnë kapacitetet e duhura për shtrirjen e menjëhershme të shpërndarjes së librave në të gjithë hapësirat gjeografike të rretheve.

Në Rrethin e Bulqizës veprojnë gjithsej dy distributorë të shpërndarjes së librit, që e kanë pothuajse të pamundur të mbulojnë të gjithë territorin e shtrirjes së arsimit parauniversitar për shpërndarjen e librave shkollorë.

Drejtori i shkollës 9-vjeçare në lagjen e re të Bulqizës, Medin Karaj, tha se për këtë vit shkollor librat ndahen nga dy distributorë, krahasuar me një që ka qenë vitin e kaluar.

“Kemi afishuar listat e teksteve të klasave të ndryshme që shpërndahen nga secili distributor, si dhe çmimet përkatëse të teksteve sipas katalogut të ardhur nga shtëpitë botuese, për të shmangur abuzimin me çmimet e teksteve nga shitësit”, tha Karaj.

Ndërkohë, sipas tij kanë përfunduar përpjekjet për shitjen e librave të mbetur stoqe gjatë vitit të kaluar, siç ka ndodhur me tekstin Biologji dhe Edukatë Shëndetësore 7, ku nxënësit janë orientuar që ta blejnë atë nga distributori që ka fituar tenderin dhe jo të marrin tekste të vitit të kaluar.

Sipas informacioneve të marra në shkolla, mësohet se tekstet shkollore kanë ardhur të plota për çdo shkollë 9-vjeçare, duke përjashtuar librin Edukata Shoqërore 4, që pritet të mbërrijë në shkolla së shpejti.

Top Channel