Bashkia: Asnjë leje ndërtimi për zonën e Liqenit

02/09/2010 15:35

Bashkia e Tiranës është formale: për zonën e Liqenit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Sonila Qato, Drejtoreshë për Urbanistikën dhe Kontrollin e Territorit thotë se ‘në këtë zonë nuk ka asnjë aplikim për leje ndërtimi nga asnjë subjekt apo zhvillues privat i cili kërkon të ndërtojë apo të zhvillojë.

E painteresuar, për momentin, mbetet edhe kompania ‘Vizion Construction’.

“Nuk ka asnjë aplikim të emër të subjektit ‘Vizion Contruction’ dhe jo më një leje ndëtimi të dhënë nga organi kolegjial i KRT të Tiranës në emër të këtij subjekti”, thotë Qato.

Zonja Qato thotë se kushdo që është i interesuar, mund të kërkojë informacion pranë Bashkisë, me të drejtën që i jep Ligji për Informimin Publik. Në këtë rast do të merrte të njëjtën përgjigje, me letër të prokolluar, me firmë dhe me vulë. Pyetja tjetër që lind është se pse asnjë firmë nuk ka shprehur akoma interes për të ndërtuar në këtë zonë, ndërkohë që në faqen zyrtare të firmës fituese të masterplanit, parashikohej që punimet të fillonin në vitin 2010?

 “Kjo është një marrëdhënie totalisht civile midis pronarit të truallit, subjektit ndërtues dhe investitorëve të cilët kërkojnë të zhvillojnë sipas studimeve urbanistike të miratuara në zonat e posacme”, shtoi Qato.

Trualli ka disa pronarë dhe projekti ka disa godina, por edhe ambjente të përbashkëta. Pronarët e truallit mund të bien dakort me sa firma të duan: një, dy, tre ose 20. Por kur një firmë të bjerë dakort me pronarët e truallit ku gjendet, sipas planit, kjo godinë, firma duhet ta ndërtojë godinën ashtu sic parashikohet në plan. Por jo vetëm godinën, por edhe ambientet e përbashkëta. Dhe kështu me radhë, për të gjitha firmat që mund të shfaqin interes. Vetëm në këtë moment hyn në lojë Bashkia e Tiranës. Ligji e ndalon Bashkinë të përzgjedhë firmat, por ama i jep të drejtë të kontrollojë që gjithcka po shkon sipas planit të miratuar.

“Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë rol në përzgjedhjen e subjekteve ndërtues të cilët kërkojnë të zhvillojnë interesat e tyre në ndërtim. Roli i Bashkisë së Tiranës është vetëm që të kontrollojë aplikimet e bëra për leje ndërtimi dhe të verifikojë dhe të konfirmojë se këto aplikime janë konform tekniko-ligjore që parashikon ligji në fuqi dhe studimeve urbanistike të miratuara në zone”, thotë Qato.

Projekti i Liqenit zë fill në këtë mbledhje të Këshillit të Rregullit të Territorit të Republikës, kur kryeministri, duke akuzuar kreybashkiakun Rama për mungesë sheshesh ndërtimi në Tiranë, miratoi ndryshimin e destinacionit nga zonë sportive në zonë të hapur për ndërtime.

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, shpalli zonën e liqenit bashkë me 4 zona të tjera, zona prioritare zhvillimi. Kjo u bë për të evituar ndërtime spontane. Bashkia shpalli konkurs ndërkombëtar, ku u shpall fitues projekti i studios së arkitektit holandes Vini Maas. Projekti parashikon disa kulla, por edhe ambiente të gjelbra. Kritikët e projektit, thonë se ai fshin nga faqja e dheut kompleksin ‘Dinamo’ dhe kopshtin botanik. Por zonja Qato thotë se ky është spekulimi i radhës.

 “Ky është një spekulim tjetër pasi masterplani i miratuar në këtë zonë parashikon rivatilizimin e kompleksit ‘Dinamo’ dhe Kopshtin Botanik”, thotë Qato.

Ditët e fundit deputetët të ndryshëm demokratë kanë dalë kundër vendimit të kryeministrit të tyre, duke i kërkuar atij me forcë që ta ndryshojë edhe njëherë destinacionin e zonës, duke shpallur nga zonë e destinuar për ndërtim, në zonë shplodhje dhe argëtimi. Por kryeministri nuk u është përgjigjur ende kërkesave të tyre.

Top Channel