Shenja dalluese për mjetet e transportit shkollor

31/08/2010 08:10

Transporti i fëmijëve, studentëve e nxënësve, si edhe qëndrimi i tyre në vende të pamiratuara nga Bashkia e Tiranës, është një nga problemet më shqetësuese për këtë institucion.

Në kuadrin e përgjithshëm të ndërhyrjeve të bashkisë së kryeqytetit për përmirësimin e shërbimeve të transportit, si dhe zbatimit të një plani masash për qarkullimin në qytetin e Tiranës, punonjësit e këtij institucioni vënë në dukje rrezikshmërinë që mund të kenë fëmijët që qarkullojnë gjatë ditës me mjetet e transportit publik.

“Ju ribëjmë me dije se institucioni juaj, për vitin e ri shkollor duhet të zbatojë urdhrin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Nr. 83, datë 23.01.2008, ‘Mbi vendosjen e shenjave dalluese për mjetet e shërbimit të transportit, për sistemin shkollor, i cili synon përmirësimin e shërbimit të transportit në shkolla’”, thuhet në shkresën zyrtare të bashkisë.

Ky institucion kërkon me ngulm aplikimin pranë zyrave të bashkisë për miratimin e vendqëndrimeve të nisjes, e mbërritjes së mjeteve, me qëllim sigurimin e të rinjve që përdorin këto mjete për të qarkulluar në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës kërkon plotësimin e kushteve të vendosura, për të rritur sigurinë rrugore në mjetet e transportit shkollor, në rast të kundërt ata bëjnë me dije se do të merren të gjitha sanksionet e nevojshme ligjore.

Top Channel