Niveli i ri i pagave për ushtarakët

28/08/2010 08:30

Niveli i pagave për ushtarakët është propozuar nga ministri i Financave, në kuadër të vendimit për rritjen që u bë më 1 korrik, për të gjithë administratën publike.

Përveç ndryshimit të pagës, sipas viteve të shërbimit dhe gradës, në vendimin e qeverisë është përcaktuar edhe shtesa që merret mbi nivelin arsimor.

“Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, që punojnë në pozicione të cilat lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme Diplomën e Nivelit të Dytë (DND) ose Diplomën e Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët e Inxhinierisë Elektronike apo Informatikë, do të përfitojnë një shtesë për ‘kushte pune’, prej 10 mijë lekësh, mbi pagën mujore të gradës përkatëse”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Po kështu, zbatimi i shtesës për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicionit të punës.

Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i kij vendimi, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e miratuar të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2010, ndërsa efektet financiare shtrihen duke nisur nga data 1 korrik. Pra në muajin shtator, kur ushtarakët do të marrin rritjen e pagës, do llogariten edhe shtesat e munguara që prej 1 korrikut, duke vijuar më tej për të gjithë vitin, deri në ndryshimin e radhës për nivelin e pagave.
Pagat e ndryshuara.

Rritja e pagave nis me vitet e shërbimit, deri në 26 vjet, dhe me gradat. Pagën më të lartë do ta marrin oficerët me gradën Gjeneral Lejtnant (Admiral), që kanë mbi 26 vite shërbimi, në masën e 151 mijë e 500 lekë në muaj. Më pas vijnë oficerët me gradën Gjeneral-Major (Nënadmiral), me 145 mijë lekë në muaj për shërbime në ushtri mbi 26 vjet dhe 142390 lekë në muaj për shërbime mbi 24 vjet. Kështu me radhë, pagat pësojnë rritje për Gjeneral Brigade, në varësi të viteve të shërbimit, nga 112 mijë lekë në muaj në 114 mijë, në oficerët me gradë Kolonel (kapiten i parë) dhe Nënkolonel (kapiten i dytë), me paga jo më të larta se 96 mijë lekë në muaj dhe 77 mijë e 100 lekë.

Rritja e pagave prek edhe ushtarakët nënoficerë, si komandat kapterët, kapterët, rreshterët, tetarë dhe nëntetarët, me paga mujore që nisin nga 30 mijë e 450 lekë në 54 mijë e 600 lekë, për shërbime në ushtri mbi 26 vjet. Për ushtarët profesionistë, paga më e lartë shkon në 35 mijë e 280 lekë në muaj, për vite shërbimi mbi 6 vjet (ushtar dhe detar, profesionist II), dhe deri në 29 mijë e 100 lekë për profesionistët I, me mbi 2 vjet shërbimi në ushtri.

Rritje përfitojnë edhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm dhe studentët ushtarakë. P.sh., rekrutët (ushtarë dhe detarë) e nivelit II, paga mujore simbolike, shkon 2 mijë lekë, kurse studentët do të marrin 1500 lekë në muaj.

Për grada të ndryshme ushtarake vitet e shërbimit janë të limituara. Kështu, për rreshterët nuk ka vite shërbimi në ushtri më pak se 8 vjet, por jo më shumë se 18 vjet, sikurse për kolonel kapterët nuk ka më pak se 18 vjet shërbimi në ushtri. Për lëvizjen e viteve të “punës” ushtarakët rishikojnë gradat, në mënyrë që të vijojnë karrierën dhe përftimin e pagës.

Nuk kishte si të mungonin në kategorinë e përfituesve edhe atashetë ushtarakë që shërbejnë në përfaqësitë ushtarake pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, apo në organizatat ndërkombëtare. Pagat e tyre, tashmë të rritura me vendim qeverie, janë të shprehura në tabelë sipas dy valutave kryesore në vend, euro dhe dollarë. Kështu, pagën më të lartë e ka atasheu me gradën Gjeneral-Lejtnant, 1170 euro apo 1410 dollarë, ku për çdo përfaqësim që bën merr një shtesë të pagës në masën 75 për qind. Kategoria e gjeneral-major merr një pagë mujore në euro në masën 1145 dhe përfiton 60 deri në 75 për qind të përfaqësimit. Niveli i pagave zbret me gradën, duke vijuar me gjeneral brigade 1070 euro, kolonel 960 euro, nënkolonel 910 euro, kapiten 805 euro, kapter 680 euro etj., e përftim 40 për qind të pagës (shtesë) për çdo përfaqësim.

Top Channel