Kanali pa ujë dështon të mbjellat e Klosit

28/08/2010 08:15

Kjo verë për banorët e Luginës së Matit, kaloi duke u shkaktuar atyre një dëm edhe më të madh se ai i vitit të kaluar kur nga fara shterpë e misrit nuk morën asnjë kilogram misër.

Dje në orët e paradites, qindra banorë të Komunës Suç, kanë protestuar në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të nënstacionit elektrik të Suçit. Ata kanë bllokuar për disa minuta edhe rrugën nacionale.

Shkak për tharjen e kësaj lugine me gjatësi rreth 20 kilometra që shtrihet nga Klosi deri në Burrel, është bërë dëmtimi i kanalit të Klosit, në dy-tre segmente të gjatësisë së tij. Dy fshatra përkatësisht Suç, qendër e po kësaj komune dhe Kujtim, kanë kërkuar në protestën e ditës së sotme, dëmshpërblim për tharjen e tokave të mbjella me bimë të arave, foragjere dhe pemë frutore. Banorët tepër të irrituar kërkojnë nga qeveria që të hetojë për përgjegjësit që administruan fondin e dhënë për rikonstruksionin e kanalit.

Një nga banoret në këtë protestë, Dashurie Bodini, duke treguar një qese me rrush të tharë, tha për “Shqip”, se dëmi i shkaktuar nga tharja për pikën e ujit të tokave, është shumë i madh, dhe e vetmja zgjidhje mbetet kompensimi ynë për dëmin e shkaktuar. “Janë jo pak, por rreth 7 mijë hektarë tokë, që janë tharë dhe askush nuk është kujtuar për zgjidhjen e këtij problemi”, thotë Liman Laçi, agronom i dalë në pension.

Nuk ka gjë më të dhimbshme për bujqit të cilët janë të detyruar të shkulin misrat e tharë për ujë. Sipas tij, një vit më parë për rehabilitimin e këtij kanali, u dhanë nga qeveria 130 milionë lekë të reja. “Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të vejë dorë, për të gjetur se ku kanë përfunduar këto para”, thotë Mexhit Dema një tjetër banor i Suçit, pjesëmarrës në protestë.

Sipas banorëve, ata janë ankuar në çdo strukturë, por as kryetari i komunës nuk e ka vënë “ujin në zjarr”. Ndërkohë, banorët akuzojnë edhe shoqatën e vaditjes së tokave dhe Ndërmarrjen e Bordit të Kullimit Mat, për menaxhim jo të mirë të fondeve të dhëna për rehabilitimin e këtij kanali. I kontaktuar në telefon drejtori i Bordit të Kullimit të Tokave, Hajdar Kurti, sqaroi se kanali vaditës i Klosit, është dëmtuar në dy-tre segmente për shkak të rrëshqitjes së tokës. “Kemi ndërhyrë për riparimin e tij, por n ë segmentin prej rreth 50 metrash në vendin e quajtur “Ura e Balës” në afërsi të fshatit Plezhë të Bashkisë së Klosit, ndërhyrja është e vështirë në mos e pamundur për mungesë fondesh investimi”, sqaroi Kurti.

Top Channel