Nënë Tereza, 100 vjetori i lindjes përkujtohet në gjithë botën

26/08/2010 08:55

Sot celebrohet në të gjithë botën 100 vjetori i lindjes së humanistes me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi ose sic njihet nga të gjithë, Nënë Tereza.

Humanistja e madhe që ndërroi jetë në 5 shtator 1997, lindi 100 më parë si sot në një lagje shqiptare të Shkupit, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Kalkuta të Indisë ku zhvilloi edhe misionin e saj në ndihmë të njerëzve të varfër.

Në katedralen e Vaut të Dejës ne vendin tonë është programuar një pelegrinazh kombëtar që do të pasohet më pas me një meshë të udhëhequr nga arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, monsinjor Rrok Mirdita. Në kryeqytet, sot do të zhvillohen edhe shumë aktivitete në nder të humanistes. Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova e ka shpallur 2010-ën vitin e Nënë Terezës. Prishtina nga ku ka edhe origjinën familja e Nënë Terezës, do ta kujtojë nëpërmjet shumë aktiviteteve.

Ndërkohë, në Indi ku Nënë Tereza kapi pjesën më të madhe të jetës, lutjet për të kanë filluar që në datën 17 gusht, ndërsa ditën e sotme në Kalkuta do të zhvillohet një meshë e madhe. Në Nju Delhi do të shfaqet një simpozium, spektakle dhe shumë aktivitete të tjera në nder të figurës së shqiptares së madhe.  

Top Channel