Miratohet dëmshpërblimi për ish të përndjekurit

26/08/2010 08:15

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, qeveria miratoi dje dëmshpërblimin financiar për ish të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital, sipas listës që nuk u publikua zyrtarisht për median.

Masa e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital, do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura sipas nenit 33, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar. Për këtë vendim dhe zbatimin e tij, ngarkohet ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave.

Top Channel