Berisha: Kriza, gati për kompromis

25/08/2010 15:10

Kryeministri Berisha shfrytëzoi fjalën e tij të gjatë për më shumë se 30 minuta në konferencën vjetore të ambasadorëve, për t’u shprehur optimist për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në vend. (UPDATE)

Sipas kryeministrit, më 28 qershor Shqipëria organizoi zgjedhjet të lira, prej të cilave doli një mazhorancë dhe institucione legjitimiteti i të cilave nuk vihet në dyshim prej partnerëve ndërkombëtarë. Por pavarësisht kësaj, qeveria, sipas kryeministrit, nuk është prepotente ndaj kërkesave të opozitës

“Kemi qenë dhe mbetemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë, me frymën e kompromisit mund t’i jepet përgjigje përfundimtare të gjitha pretendimeve”,  u shpreh Berisha.

Në dalje të konferencës së ambasadorëve, Presidenti i Republikës e përshëndeti mundësinë e rifillimit të dialogut.

“Të gjithë duhet t’i kontribuojnë këtij komunikimi, i cili është domosdoshmëri civile e kohës, por edhe e politikës moderne për t’i krijuar të gjitha hapësirat Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë më të qetë dhe të integrohen sa më shpejt”, tha Topi.

Por pavarësisht gatishmërisë për bisedime përpara shtatorit, ashtu sic e pohon për gazetën ‘Shqip’ edhe Gramoz Ruci, selia rozë shprehu kundershtimet e saj pas vlerësimit të kryeministrit se zgjedhjet e 28 qershorit qenë të lira dhe të ndershme.

“Sali Berisha ta harrojë se ka me ndonjë shqiptar që e beson përrallën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit. Madje, po t’i referohemi rezolutës së Parlamentit Europian, duket qartë se problemet e rënda me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë një shqetësim tejet serioz dhe për Bashkimin Europian. Prandaj transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit i duhet Shqipërisë si mjeti për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme”, tha deputetja socialiste, Arta Dade.

Pavarësisht akuzave dhe kundërakuzave me sfond ekonomik, bisedimet mes demokratëve dhe socialistëve për zgjidhjen e krizës pritet të rifillojnë me sezonin e ri politik.

Top Channel