Selia blu, tetë muaj pa mbledhur forumet

21/08/2010 08:10

Ndonëse kundërshtive të hapura që kanë shprehur herë pas here ndaj lidershipit demokrat, dy anëtarët e kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj dhe Omer Stinga, përsëri vijojnë të jenë pjesë e këtij organi të lartë drejtues.

Kjo për faktin se zgjedhja e kryesisë së re të demokratëve ka pothuajse tetë muaj që është vonuar. Por pritet që në muajin e ardhshëm të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i PD-së, i cili do të bëjë edhe përzgjedhjen e kryesisë së re dhe sekretariatit të PD-së.

Sipas statutit të PD-së, do të jetë kryetari i partisë, Sali Berisha, personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve.

Po kështu, sipas statusit, të drejtën për t’i bërë propozime e ka edhe vetë ky këshill, kryesia e PD-së, kryesitë e degëve, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Përveç çështjeve teknike të mënyrës së përcaktimit të kandidaturave, demokratët bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit Kombëtar. Nga një vëzhgim i shpejtë i emrave, vihet re se emrat e rinj mes më të votuarve në këshill janë ato të deputeteve demokrate, Mesila Doda dhe Rajmonda Bulku, është prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

Top Channel