Rezoluta për Kosovën, beteja e Tiranës zyrtare

21/08/2010 08:25

Kosova do të jetë një nga betejat kryesore të drejtuesve të Shqipërisë në sesionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sikurse është bërë e njohur, mendimi dhënë këtë verë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me pavarësinë e shtetit të ri ka provokuar një lëvizje të fundit të Beogradit zyrtar. Depozitimi i një projektrezolute në OKB pritet të diskutohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një mjedis ku Shqipëria aderon me të drejta të plota dhe do të duhet të bllokojë miratimin e saj.

Rëndësinë e saj e ka nënvizuar dje edhe Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i cili është shprehur besimplotë se rezoluta nuk do të miratohet. Hipoteza e kundërt do ta detyronte Kosovën në nisjen e bisedimeve të reja për statusin, duke vënë pikëpyetje mbi punën e bërë deri më tani.

Kjo është një pikë ku përfaqësia e Tiranës ka një mundësi, por edhe një sfidë për të dëshmuar aftësinë e vet, por edhe ndikimin e Shqipërisë tek ato vende që mund të vendosin balancën e duhur për votimin e rezolutës serbe. Personalisht sesioni i OKB-së do të duhet të sjellë një ide më të qartë të diplomacisë shqiptare, e cila, edhe pse përballë një mjedisi global, mund të gjejë rrugën e një aktivizimi të fortë për të mbyllur ciklin juridik të diskutimit mbi krahinën shqiptare, tashmë shteti më i ri në Ballkan. Të paktën duke u nisur nga deklarimet e fundit të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm, një qëndrim ky që është standard minimal për diskutimin e palës shqiptare.

Top Channel