Greqi, aksident, pesë emigrantë të vdekur

21/08/2010 13:25

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Konicë-Kalpaq, afër Janinës, në vendin e quajtur Kroi i Pashait duke shkaktuar vdekjen e pesë emigrantëve shqiptarë. (UPDATE)

Dy autovetura, njëra “Toyota” dhe tjetra “Peugeot”, që drejtoheshin prej dy emigrantëve me banim në Greqi, u përplasën me njëra-tjetrën, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të katër shtetasve shqiptarë që udhëtonin me to, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në spitalin e Janinës, ku humbi jetën dhe i pesti.

Deri tani janë identifikuar vetëm dy prej viktimave që gjendeshin në automjetin “Toyota”, Drita dhe Vasil Bezati, përkatësisht, 51 dhe 58 vjeç, ndërsa shoferi i automjetit, ende nuk është identifikuar.

Viktima e 4-t, Valentina Bezhiti, ndodhej në automjetin e tipit “Peugeot”, që drejtohej prej Apostol Himës.

Sipas policisë, drejtuesi i “Peugeot” ka qenë në gjendje gjumi, çka i ka shkaktuar edhe humbjen e kontrollit të automjetetit duke u përplasur drejtpërdrejt me Toyota-n.

Por zëdhënësi i policisë së Janinës, tha se pritet ekspertiza e plotë për të përcaktuar zyrtarisht shkaqet e aksidentit.

Top Channel