Matura, “shpallen” fituesit

20/08/2010 08:20

Listat paraprake të fituesve në fakultetet e vendit pritet të afishohen në mes të muajit shtator.

E megjithatë pas kësaj, do të ketë edhe një listë të dytë fituesish, e cila do të jetë përfundimtare dhe do të përcaktojë saktësisht emrat e kandidatëve fitues. Nëse gjatë dy përvojave të kaluara, nxënësit kishin mundësi që përveç plotësimit të formularit A2, të kishin në duar edhe atë A3 apo A4, sivjet Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që shpallja e fituesve të bëhet fill pas dorëzimit të formularit A2.

Për pasojë, nxënësit nuk do të kenë më mundësi të plotësojnë formularin A3 apo A4. Në maturën e vitit 2008, pati një moment, ku një pjesë e mirë e maturantëve mundën të “ndreqnin gabimet”. Kjo do të thotë që nëse kishte nxënës që kishin bërë gabime në plotësimin e formularit A2, do të mund t’i korrigjonin ato në formularët e radhës.

Aktualisht MASH ka parashikuar që mbyllja e fazës së Maturës Shtetërore të bëhet pas dorëzimit të formularit të preferencave në Drejtorinë Arsimore. Nisur nga kjo, nxënësit që mund të kenë bërë gabime apo shënime pa ndonjë qëllim të caktuar do të “penalizohen” duke mos pasur më një shans të dytë për t’i korrigjuar ato.

Fill pas shpalljes së listave paraprake, do të përgatitet një tjetër listë, në të cilën emrat do të spostohen nga poshtë lart. Kjo do të bëhet pas rishikimit të pikëve maksimale dhe plotësimit të kuotave të përcaktuara për një fakultet të caktuar. Në rast se ndodh që një nxënës që ka fituar të drejtën e studimit për gazetari, preferon të largohet jashtë shtetit, ky vend automatikisht mbetet bosh. Duke qenë përpara një situate të tillë, emrat do të spostohen nga poshtë lart.

Përveç përzgjedhjes apo renditjes së preferencave në formularin A2, është e përcaktuar edhe një hapësirë boshe, ku duhet shkruar emri, atësia dhe mbiemri i kandidatit për student. “Këtë vit, njësoj si edhe gjatë eksperiencave të kaluara, janë evidentuar parregullsi, apo gabime në mënyrën e të shkruarit të këtyre të dhënave personale”, tha Arben Fagu, drejtori i APRIAL. Sipas tij, pas plotësimit të formularit, nxënësit dorëzojnë edhe një certifikatë personale, e cila ka të përcaktuar saktësisht emrin, atësinë dhe mbiemrin e individit.

Pasi shikohen me kujdes nëse të dhënat janë të njëjtat, apo nëse është bërë ndonjë gabim ortografik, APRIAL krijon një grup të posaçëm pune, që synon saktësimin e këtyre të dhënave dhe korrigjimin e tyre. “Aktualisht jemi duke rishikuar disa formularë, tek të cilët kemi konstatuar gabime të këtij lloji. Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, pritet të zhvillohen konkurset në Fakultetin e Arkitekturës, në Universitetin e Sporteve dhe Arteve të Bukura, sqaroi Fagu. Pas përfundimit të këtyre testeve, që janë parashikuar të zhvillohen javën e parë të shtatorit, do të zbardhen listat paraprake të fituesve në universitetet e vendit.

Gjatë këtij viti në konkurrim nuk kanë marrë pjesë vetëm maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme në 2010-n, por edhe ata që i përkasin maturave të tjera, si 2006, 2007 apo edhe kandidatë që e kanë përfunduar më parë maturën dhe i janë nënshtruar këtë vit provimeve me zgjedhje, për të fituar të drejta studimi. Një nxënës, që të ketë të drejtën për t’u testuar në provimet me zgjedhje, duhet të plotësojë formularin A1Z. Që të pajisesh me këtë formular, duhet të paraqesësh një kërkesë në drejtorinë e shkollës përkatëse. Dorëzimi i formularit A1Z të plotësuar është bërë më datë 15 maj të këtij viti.

Top Channel