Frakull, pa ujë katër muaj

20/08/2010 20:15

Pesë fshatra të komunës Frakull në rrethin e Fierit kanë më shumë se katër muaj që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Shkak për këtë është bërë mbyllja e rubinetit kryesor nga ana e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Fier.

Megjithëse rrjeti i ujësjëllësit të këtyre fshatrave është në gjendje shumë të mirë pas rikonstruksionit të dy viteve më parë me një vlerë prej 200 milionë lekësh të vjetra, për të siguruar ujin e pijshëm banorët janë të detyruar të përshkojnë disa kilometra në këmbë.

Të zemëruar banorët thonë se është e papranueshme që stacioni i pompave që furnizon qytetin e Fierit ndodhet në tokat e tyre, ndërkohë që në shtepitë mungon uji i pijshëm.

“Deri para dy muajsh kishim, tani nuk kemi. Patën ujë me bollëk, por tani nuk ka”, shprehet një banore e zonës.

“Ne jëmi pa ujë pas dy vjetëve dhe shkaku kryesor është mbyllja e rubinetit në stacionin e pompimit nga drejtoria e ujësjellësit”, thotë Veledin Troka, kryeplaku i fshatit Ade.

“Gjithsej kemi të bëjmë me pesë fshatra. Shkaku është kufizimi i ujit nga drejtoria e ujësjellësit e cila nuk ka ngritur një program të caktuar dhe duhet të vihet në shërbim të komunës”, është shprehur Dashnor Troka, nënkryetar i komunës Frakull.

Burime nga ndërmarrja e ujësjellësit pohojnë se komuna Frakull nuk ka shlyer detyrimet ndaj saj.

Për këtë arsye është reduktuar furnizimi me ujë, por nuk është ndërprerë plotësisht.

Top Channel