Berisha: Investimet u rritën

20/08/2010 19:35

Gjatë një inagurimi në qytetin e Korçës, kryeministri Berisha deklaroi se eksportet shqiptare janë rritur me 70 përqind.

Ndërsa Shqipëria nga një vend i ndaluar për investime të huaja është kthyer në një vend qe ka krijuar lehtësi të mëdha për investuesit.

“Dua t’ju them se një nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në historinë e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht në vitin 2010 dhe ky zhvillim është rritja me 70 përqind, deri më tani, e eksporteve “Made in Albania”, pra, eksporteve shqiptare”, është shprehur Berisha.

“Këtë vit ka shkëputje të madhe. Këtë vit, eksportet janë rritur me 70 përqind, importet janë rritur me 8 përqind, duke mbajtur regjimet më të hapura”, theksoi kryeministri.

“Për ne, shqiptarët, është një arritje historike, që kemi kaluar nga vendi me investime të ndaluara në Europë dhe botë, në vendin që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së. Për ne, shqiptarët, është një arritje historike fakti se investimi në gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së është 7 pikë përpara, 7 përqind më i mirë. Në këto pesë vite, ne e ndryshuam mjedisin për investimet”, shtoi kreu i qeverisë.

Top Channel