Zjarr masiv në Urën Vajgurore

19/08/2010 17:55

Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në një kodër të mbjellë me pisha në qytezën e Urës Vajgurore, ndërkohë një sipërfaqe prej rreth 25 hektarë është përfshirë nga flakët duke shkrumbuar gjithë sipërfaqen me shkurre dhe flakët përfshinë dhe pishat.

Zjarri u shfaq rreth orës 14:00 në lagjen e quajtur “Gurri i Bardhë” ku në mes të kodrës janë shfaqur shenjat e para të flakëve, të cilat më pas të ndihmuara dhe nga temperaturat e larta, por dhe era janë përhapur me shpejtësi.

Kanë qënë banorët e lagjes, por dhe punonjësit e gurroreve të shumta që ndodhen në këtë zonë, të cilët kanë pare flaket dhe menjëherë kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikëses në qytetin e Beratit.

Mjeti zjarrfikës si dhe punonjësit e këtij sektori kanë udhëtuar menjëherë drejt vatrës së zjarrit ku kanë nisur nga puna për fikjen e flakëve. Por, tereni i vështirë dhe gjendja e rrugës ka bërë të pamundur futjen e mjetit zjarrfikës në brendësi të kodrës, ndërkohë që punonjësit zjarrfikës kanë udhëtuar në këmbë dhe punuan me mjete rrethanore për fikjen e zjarrit.

Ndihmë i është kërkuar dhe repartit të Reagimit të Shpejtë në Poshnje. Ne vendngjarje ka mberritur edhe policia e cila ka marre ne pyetje deshmitaret per shkak se dyshohet nje zjarrevenie e qellimshme për të hapur toka të reja të prodhimit të inerteve në këtë zonë. Ky është rasti i parë i zjarrit me përmasa të mëdha për këtë vit në qarkun e Beratit.

Top Channel