Lindje e Mesme, DASH përgatit detajet e bisedimeve

19/08/2010 18:15

BBC ka mësuar se Departamenti Amerikan i Shtetit po përgatitet për publikimin e hollësive në lidhje me bisedimet direkte mes Izraelit dhe palestinezëve.

Deklarata pritet të përfshijë edhe një program për negociatat. Qeveria Amerikane dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë punuar për një formulë që do të ngushtonte dallimet mes dy palëve.

Deri me tani, palestinezët kanë këmbëngulur në marrjen e garancive që shteti i ardhshëm palestinez të shtrihet në territoret e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Shteti hebre nga ana e tij shprehet i gatshem për bisedime direkte, por pa kushte.

Korrespondenti i BBC-së në Jeruzalem thotë se nuk ka garanci që negociatat të sjellin ndonjë sukses ngaqë palët kanë shumë mosmarrëveshje për cështje të rëndësishme. Ndërkaq, në një raport të Kombeve të Bashkuara thuhet se ushtria izraelite i ka shtuar kufizimet për palestinezët në fermat e Rripit të Gazës dhe në zonat e peshkimit përgjatë bregdetit.

Zyra e OKB-se për Koordinim Humanitar thotë se banorët e Gazës asnjëherë nuk janë njoftuar në mënyrë të qartë për natyrën e kufizimeve dhe se ushtria izraelite ka përdorur edhe municion luftarak për zbatimin e tyre.

Top Channel