Karla del Ponte, nga akuzuese në të akuzuar

19/08/2010 16:45

Disa vite më parë emri Karla Del Pontes identifikojej me atë të kryeprokurores së hekurt të gjykatës së krimeve të luftës në Hagë për ish-Jugosllavinë, ndërsa sot rolet janë ndryshuar.

Ajo është vënë nën hetim për kërcënim dhe korrupsion me dëshmitarët e marrë në pyetje gjatë kohës kur Del Ponte ishte kryeprokurore. “Ish-kryeprokurorja e Hagës Karla Del Ponte e cila coi pas hekurave përgjegjësit e luftës në Ballkan dhe udheheqës të ndryshëm politik, është nën hetim për kërcënim dhe korrupsion të dëshmitarëve”.

Kështu shkruan në numrin e saj të sotëm gazeta britanike “The Guardian”. Eshtë gjykata e Kombeve të Bashkuara kundër krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, e cila ka iniciuar një hetim të pavarur mbi procedurat e ndjekura nga Del Ponte. Janë dy hetues ata të cilët kanë nisur marrjen e dëshmive për këtë cështje. Ian Trainor, gazetar i “The Guardian” shkruan se hetimi ndaj Karla Del Pontes nisi pas denoncimit të disa dëshmitarëve të cilët deklarojnë se i janë dhënë ryshfet, kërcënuar apo keqtrajtuar.

Nga hetimet e deritanishme është mësuar se disa prej dëshmitarëve kanë pohuar se provat e tyre janë manipuluar. “Dëshmitë e marra nga hetuesit flasin për privim të gjumit gjatë marrjes së dëshmitarëve në pyetje, presione psikologjike, shantazhe dhe kërcënime”, shkruan “The Guardian”. Procesi në ngarkim të Karla del Pontes pritet të drejtohet nga një gjyqtar francez, ndërkohë që rezultatet e para të hetimit pritet të bëhen publike fillim vitin e ardhshëm.

Top Channel