Aksidentet, një i vdekur, 13 të plagosur

19/08/2010 08:35

Një person ka vdekur dhe rreth 13 të tjerë janë plagosur në tre aksidente të ndryshme në Elbasan, në Gjirokastër dhe në Vlorë.

Në aksidentin e parë, në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë përplasur tre automjete, dy nga të cilët me targa greke dhe italiane dhe një me targa të Durrësit.

Nga përplasja e fortë dy të rinj 28 vjeç kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen në reanimacion, ndërsa tre të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën në spital.

Shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia dhe parakalimi i gabuar në rrugë.

Aksidenti i dytë ndodhi 3 kilometra në dalje të qytetit të Gjirokastrës kur një automjet me 4 anëtarë të një familjeje nga Lazarati që po udhëtonte në drejtim të Tiranës, është përplasur me një tjetër automjet që udhëtonte në drejtim të kundërt.

Drejtuesi i një kamionçine për të shmangur përplasjen me dy automjetet e dëmtuara ku ndodheshin edhe të plagosurit ka dalë nga rruga.

Për pasojë 8 persona janë plagosur, por më rëndë janë katër anëtarët e së njëjtës familje që po udhëtonte nga Lazarati.

Ata janë dërguar me urgjencë në reanimacionin e spitalit të qytetit të Gjirokastrës për t’u dhënë ndihmën mjekësore.

Gjatë mbrëmjes së djeshme edhe një 35 vjeçar nga Vlora humbi jetën i goditur nga një automjet me targa të Tiranës.

Top Channel