Europa i kërkon Shqipërisë të bindë Prishtinën për dialog

18/08/2010 09:15

Pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë disa mesazhe nga homologë të ndryshëm europianë, të cilët shprehën vlerësimin e tyre për rolin e diplomacisë shqiptare në çështjen e Kosovës, si dhe mbështetjen e plotë për konsolidimin e shtetit të ri.

Zëvendëskancelari dhe ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle ka shkruar se “pavarësia e Republikës së Kosovës dhe integriteti i saj territorial për
Gjermaninë janë fakte të pamohueshme, të cilat nuk vihen në pikëpyetje”, duke shtuar se tashmë është mbyllur pjesa juridike dhe se ka ardhur koha për dialog, duke pasur parasysh njëkohësisht se “e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës gjendet në Bashkimin Europian”.

Ndërsa homologu austriak, Michael Spindelegger, në letrën e tij ka shkruar se Opinioni i GJND-së hap rrugën për njohje të reja dhe ofron shpresë për zhvillimin socio-ekonomik të shtetit të ri. Ai shton se nisja e dialogut midis Serbisë e Kosovës do të jetë në radhë të parë në interes të qytetarëve që jetojnë në të dyja shtetet. Në përfundim, duke vlerësuar angazhimin e diplomacisë shqiptare, Spindelegger ka shtuar: “Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përqasjen tuaj të qartë dhe të ekuilibruar në çështjen e Kosovës fqinje. Ju siguroj për angazhimin tim të mëtejshëm në shërbim të progresit të marrëdhënieve serbo-kosovare, si dhe për vazhdimësinë e procesit të integrimit europian për të gjitha vendet e Europës Juglindore”.

Gjithashtu, në një letër drejtuar Metës, ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nickolay Mladenov, ka shprehur kënaqësinë për pozicionet e njëjta të dy vendeve për sa i përket “nevojës për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme, në paqe, demokratike dhe multi-etnike”. Mladenov ka shprehur bindjen se opinioni këshillimor i GJND-së do të hapë rrugën për “fillimin e një faze të re në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për krijimin e besimit reciprok, kaq të nevojshëm në rajon”, kumtoi Ministra e Punëve të Jashtme e Shqipërisë me anë të një komunikate për publikun.

Top Channel