Projekt për park shqiptar në Ohajo

17/08/2010 16:00

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Klivëlend të Ohajos, zotin Adem Meta.

Zoti Meta i prezantoi Kryeministrit projektin për çeljen e Parkut kombëtar shqiptar në Klivëlend të Ohajos, i cili do të mbajë emrin e humanistes së shquar, Nënë Tereza. Parku do të jetë në formën e një amfiteatri, i cili në qendër do të ketë shtatoren e Nënë Terezës.

Zoti Meta shprehu rëndësinë që ka hapja e këtij Parku, duke theksuar se në Ohajo të Shteteve të Bashkuara jetojnë 120 komunitete të ndryshme nga mbarë bota. Por vetëm 35 prej tyre kanë fituar të drejtën për të pasur Parkun e tyre Kombëtar, midis të cilëve edhe parku shqiptar. Në këtë Park, tha zoti Meta, do të vendosen edhe figura të tjera të shquara kulturore të kombit tonë.

Kryeministri Berisha e përgëzoi zotin Meta dhe shoqatën që ai përfaqëson për këtë nismë dhe u shpreh se qeveria do të japë kontributin e saj në realizimin e këtij projekti. Kryeministri  vuri në dukje se është edhe më domethënës fakti që kjo nismë ndërmerret në 100-vjetorin e lindjes së ‘Nënë Terezës’, që e cilësoi “simbol të shquar të shqiptarëve të të gjitha kohërave”.

Top Channel