Për Vangjel Dulen, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nuk ka pikë dyshim se ngjarja e Himarës është një krim.
Në një intervistë për korrespondenten e Top Channel në Gjirokastër, zoti Dule thotë se elementët e deritanishëm tregojnë se ky krim u motivua për arsye etnike. Por ai kërkon një reagim ndëretnik të klasës politike shqiptare dhe të opinionit publik. Në po këtë intervistë, Vangjel Dule thotë se partia që ai drejton kërkon pjesmarrjen e drejtpërdrejtë të ekspertizës së Bashkimit Europian dhe të OSBE-së të akredituar në Tiranë në hetimin e ngjarjes. Kjo sipas jo vetëm që do të ndikonte në nxjerrjen e shpejtë të rezultateve, por do të ndikonte sidomos në besueshmërinë e procesit, që për zotin Dule është trefish e rëndësishme.
Zoti Dule ndalet në këtë intervistë edhe në reagimin e menjëhershëm të klasës politike greke për ngjarjen. Kryetari i Bashkimit për të drejtat e njeriut thotë se Greqia, si aleate e Shqipërisë në NATO dhe si mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin europian, ka tërë të drejtën të interesohet për jetën qytetarëve shqiptarë me kombësi greke, por edhe të të tjerëve. Zoti Dule përligji edhe grevën dy orëshe të punonjësve të komunave të administruara nga PBDNJ në Jug të vendit, që protestuan në këtë mënyrë për ngjarjen e Himarës.
Të enjten e kaluar qytetari himariot Aristidh Guma u përplas me makinë dhe nga kjo gjeti vdekjen e menjëhershme. Banorë të Himarës akuzuan autorët se e kishin bërë këtë qëllimisht, pas një debati me fjalë që kishin pasur me viktimën, për shkak të përdorimit prej tij të gjuhës greke.
Pas disa ditësh në arrati, shoferi i automjetit, 20 vjecari nga Vlora Ilir Muka u dorëzua në polici. Gjatë paraqitjes në Gjykatë, ai tha se ngjarja kishte qenë një aksident dhe jo një krim.
Top Channel