Alarm për puset e ujit, nëntoka e Myzeqesë e infektuar

17/08/2010 08:45

Specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik Fier kanë dhënë alarmin për moskonsumin e ujit nga puset e hapura privatisht prej banorëve.

Sipas tyre, uji përmban minerale të fortë, të cilët ndikojnë në shëndetin e brezit pasardhës, duke shkaktuar mutacione dhe anomali gjenetike.

Specialistët shprehen se pothuajse e gjithë zona e Myzeqesë është një zonë e kontaminuar prej këtyre mineraleve të fortë që e bëjnë të pakonsumueshëm për t’u pirë ujin e nëntokës, përveç një zone, që është ajo e fshatit Petovë të Fierit.

Pothuajse të gjitha familjet që banojnë në zonat rurale dhe shumë prej atyre që banojnë në qytet në shtëpi private, kanë hapur prej vitesh puse për furnizimin me ujë.

Nga kontakti që kemi pasur me ta, mësohet se puset janë hapur para viteve 2000, por dhe në vitet e para të këtij dhjetëvjeçari, për shkak të krizës së madhe të ujit në shtëpitë e tyre.

Sipas tyre, secili ka kryer privatisht si shpimin e pusit, ashtu dhe analizat për përmbajtjen e baktereve.

Më pas e kanë konsumuar atë. Por ka dhe nga ata që nuk i kanë kryer asnjëherë analizat, me shpresën se sipërfaqja e tokës është e njëjtë me atë të komshiut, duke e konsumuar ujin në mënyrë apriori.

Një fakt i tillë i ka detyruar herë pas here specialistët e higjienës që të propagandojnë për kryerjen e analizave të ujit, me qëllim mbrojtjen e shëndetit.

Aktualisht edhe pse ujësjellësi ka stabilizuar disi furnizimin me ujë, puset vazhdojnë të jenë burim i ujit edhe për t’u pirë.

Top Channel