KQZ, vendim për fletët para shtatorit

16/08/2010 08:35

Kërkesa drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një referendumi lidhur me rinumërimin e fletëve të votimit dhe autorësinë e këtij procesi, duket se shtron “problemin” e një mbledhjeje të shpejtë të këtij institucioni.

Kërkesat e ligjit në fuqi diktojnë se KQZ ka detyrimin për të shqyrtuar një pretendim të tillë 20 ditë nga depozitimi i saj, çka sipas kronologjisë së ngjarjeve nënkupton se vendimmarrja për këtë çështje do të duhet të bëhet e njohur jo më vonë se data 25 gusht.

Kjo është një procedurë që detyrohet nga Kodi Zgjedhor, prej të cilit mandej institucioni në fjalë do të bëjë të njohur nëse e drejta për një referendum të kësaj natyre është legjitime ose jo.

Problem në këtë diskutim është fakti se vetë kërkesa e depozituar në datën 6 gusht kërkon një takim të KQZ-së brenda muajit gusht, ose për ta thënë me një referencë që flet më mirë politikisht, ndoshta përpara dekretit të Presidentit të Republikës për zgjedhjet lokale.

Ajo që ishte paralajmëruar si një pushim i plotë i muajit gusht për institucionin e drejtuar nga Arben Ristani, po vihet aktualisht në provën e detyrimeve ligjore që burojnë nga kërkesa e disa qytetarëve për referendumin për rinumërimin e fletëve të votimit. Burime nga anëtarësia e KQZ-së thanë dje për “Shqip” se “referendumi dhe fletët e votimit janë në thelb dy çështje të ndryshme për të cilat do të ketë vendime përkatëse”. Duke shtuar se “ligjërisht do të duhet që KQZ të japë një përgjigje para datës 25 gusht”, burimet kanë saktësuar kështu problemin që hap kërkesa për referendum që ndërhyn në ‘paqen’ e diktuar nga negociatat politike ende pa përgjigje. Sa i përket shumicës parlamentare, është e kuptueshme që KQZ të vihet në lëvizje pas dekretit presidencial, që sikurse është paralajmëruar nga përfaqësues të saj, por edhe nga kreu i institucionit, Arben Ristani, do të duhet të nisë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Dekreti është me këtë rast një kartë politikisht ligjëruese për veprimet e KQZ-së në asgjësimin e fletëve të votimit, të cilat procedohen në kuptim të nenit 178, pika 6. Një vit nga pretendimi socialist për zgjedhjet e 28 qershorit, ende asgjë nuk ka ndodhur për të njohur të vërtetën e procesit që rikonfirmoi në pushtet Sali Berishën. Kutitë janë reduktuar aktualisht nga një problem dite, në një problem të trashëguar, mbyllja finale e të cilave bëhet me maturimin politik të situatës që ndihmohet nga klima e zgjedhjeve të ardhshme. Rrëzimi pra i kërkesës për referendum e implikon shumicën me refuzimin e vet kategorik, i cili tashmë po i vihet përballë edhe qytetarëve.

Por një përkrahje e munguar vihet re edhe nga opozita socialiste për “rinumërimin popullor të fletëve të votimit”, për të cilën PS është shprehur se “duhet të kryhet nga komisioni hetimor parlamentar”. Si e tillë, kërkesa e depozituar në 6 gusht priret të provokojë ‘mirëkuptimin’ politik mes dy partive të mëdha, që mesa duket te debati i stërzgjatur për kutitë po hetojnë mundësi të reja për fushatën e ardhshme elektorale. Vendimi i pritshëm për asgjësimin e fletëve të votimit, qoftë edhe vetëm një muaj para zgjedhjeve, e mbyll përfundimisht ciklin e krijuar rreth 28 qershorit 2009, në zbardhjen e të cilit për herë të parë vjen edhe një iniciativë qytetare, pra zyrtarisht jashtëpartiake.

Top Channel