Kakavijë, normalizohet lëvizja e emigrantëve

16/08/2010 08:50

Normalizohet lëvizja në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, bëjnë të ditur se gjatë 12 orëve të fundit, nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kakavijës kanë hyrë nga Greqia 3300 shtetas shqiptarë dhe 1100 automjete, nga rreth 9 mijë shtetas shqiptarë, 2200 automjete, si dhe 70 autobusë të linjës ndërkombëtare që hynë një ditë më parë.

Ndërkohë, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë kanë kaluar nëpërmjet kësaj pike kalimi 3000 shtetas shqiptarë dhe 950 automjete. Ndërkohë, dje ka shkuar për të inspektuar masat e marra drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Ky i fundit ka porositur vartësit e tij në Kakavijë për shtimin e masave dhe rritjen e kulturës së shërbimit nga policia për emigrantët shqiptarë dhe turistët e huaj që lëvizin në këto ditë vere dhe pushimesh. Mësohet se po dje, Burgaj ka inspektuar edhe pikat e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë dhe Tri Urave në Përmet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka vazhduar më tej takimet e tij edhe me drejtues të strukturave të policisë gjatë vijës bregdetare të Jonit me përfaqësues të drejtorive të policisë të qarqeve dhe njësive rajonale të qarkullimit rrugor në Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë ku është njohur me problematikën dhe vështirësitë e qarkullimit rrugor që ka përfshirë sidomos aksin e rrugës së bregdetit nga Saranda, Himara e deri në Vlorë.
En.Se.

Top Channel