Pezullohet drejtori i Butrintit

13/08/2010 09:30

Është pezulluar nga detyra drejtori i Parkut të Butrinit Ylli Cerova, për shkak të keqadministrimit të tij. Lajmin e bën të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp MTKRS, ku sqaron më tej se pezullimi i Cerovës vjen kryesisht për pasojë të mungesës së pastërtisë në park.

Sipas ministrisë, megjithë takimet e posaçme që ministri Xhaferaj ka ndërmarrë me Z. Cerova ku i kërkonte marrjen e masave për të mbajtur pastër ambjentet, sidomos gjatë sezonit turistik, urdhëri nuk është zbatuar.

Përpos papastërtisë, ministria ka konstatuar edhe objekte të ndaluara në brendësi të Parkut të Butrinit, si dhe shkelje të rregullave në lidhje me mirëmbajtjen e vlerave arkeologjike të tij.

Deri në marrjen e vendimit përfundimtar në lidhje me detyrën e Z. Cerova, për administrimin e parkut është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit dhe Trashëgimise Kulturore me në krye Z. Klodian Pajuni.

Top Channel