Hetimi dhe reforma do “gatuhen” nga një komision

12/08/2010 09:05

Komisioni i reformës zgjedhore mund të jetë një pikëtakim i dy partive kryesore edhe për sa i përket procesit të bllokuar të negociatave.

Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kanë deklaruar për gazetën “Shqip” se kërkesa e saj për hetimin e zgjedhjeve mund të gjejë një zgjidhje praktike në integrimin e saj me punën për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Duke marrë shkas nga arsyetimi i njohur opozitar, sipas të cilit përmirësimi i ligjit elektoral duhet të ketë si premisë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit, atëherë edhe Komisioni i Reformës Zgjedhore mund të ketë si objekt të punës procedimin hetimor.

Një organ i vetëm që do të realizonte dy procese të ndërlidhura duke dhënë me këtë rast një përgjigje relative për pretendimet e PS, por edhe duke sugjeruar shumëçka për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Teknikisht, skenari i mësipërm hap një rrugë si për hetimin e 28 qershorit ashtu edhe për përmirësimin e Kodit të ri Elektoral, i cili po hyn në afatet finale që tolerojnë ndërhyrjen.

Në kontekstin e negociatave që zyrtarisht vijojnë ende, zhvillimi i mësipërm mbetet një nga idetë e hedhura brenda opozitës, por që nuk është pranuar.

Madje, në një fazë të caktuar të diskutimeve për zgjidhjen e krizës politike ajo është bërë prezente si propozim edhe nga shumica e drejtuar nga Sali Berisha, e cila me miratimin paraprak të opozitës për reformën zgjedhore mbyllte praktikisht hapësirat e pakontrolluara politike që mund të jepte një zbardhje e së vërtetës së 28 qershorit.

Aktualizimi i saj si kërkesë e mundshme e opozitës socialiste vjen si pasojë e ngushtimit kohor për një produkt real të negociatave që po zgjasin prej disa muajsh.

Afrimi i zgjedhjeve lokale është bërë i prekshëm nga palët të përfshira në lojë dhe një gjë e tillë po zhvendos listën e prioriteteve politike.

Transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit ka zbritur nga dimensioni i kërkesës së panegociueshme për t’u adaptuar si instrument presioni me vlerë edhe për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Po sipas të njëjtave burime pranë PS, zbërthimi para publikut shqiptar i mekanizmit të manipulimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare është ndër të tjera një element me rëndësi edhe për aspektin propagandistik të fushatës që po afron.

Gabimet dhe shkeljet e konsumuara, të sjella në dritën e provës materiale nga një organ parlamentar, në çdo pikëpamje do të dobësonte besueshmërinë e qeverisjes së tanishme.

Për pasojë, ajo do të mbronte procesin e ardhshëm zgjedhor, dyshimet mbi të cilin provokohen nga një shumicë që mban përgjegjësinë e 28 qershorit të shkuar.

Në kontekstin e tanishëm ky është një nga skenarët e palët që kanë mbetur për t’u konsumuar po të mbahet parasysh se vetëm tri ditë më parë Kryeministri Sali Berisha ka ritheksuar se çështja e fletëve të votimit është e panegociueshme.

Një deklarim që e detyron opozitën të adaptojë hetimin bazuar mbi materialet zgjedhore, si i vetmi produkt i forcës së saj politike e cila ka shansin e ridimensionimit në maj të vitit 2011.

Top Channel