Zjarre në Shkodër e Tepelenë

11/08/2010 20:25

Prej dy ditësh sipërfaqe të tera me pisha janë përfshirë nga flakët në fshatin Meselim të komunës Postribë të Shkodrës.

Për shkak të terrenit malor, zjarrfikëset e kanë të pamundur të shkojnë pranë vatrës së zjarrit dhe në këto kushte u është dashur punonjësve të policisë pyjore dhe ushtrisë që të luftojnë me flakët.

Temperaturat e larta dhe era kanë provokuar përhapjen me shpejtësi të flakëve në një sipërfaqe të madhe.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është bërë e mundur që flakët të shuhen, por situata ende mbetet problematike pasi sipas punonjësve të policisë pyjore, në zonën në fajlë ka persona që po vënë zjarre të qëllimshme për të krijuar kullota.

Vatra e dytë e zjarrit është evidentuar në Tepelenë dhe Mallakastër. Banorët kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të penguar përhapjen e tyre në zonat pyjore.

Në Mallakastër zjarri ka rënë në një ullishte pranë banesave, por ndërhyrja e zjarrfikësve vuri nën kontroll flakët. Zjarret në këtë muaj ndizen kryesisht nga barnjtë që hapin kullota të reja.

Top Channel