Shtëpia Themistokli Gërmenjit, sherri mes trashëgimtarëve

11/08/2010 10:15

Shtëpia muze e patriotit Themistokli Gërmenji është bërë objekt i një konflikti pronësie.

Trashëgimtarë të patriotit korçar pretendojnë se shtëpia muze, që është në bashkëpronësi, nuk ju njihet nga pala tjetër, ndërkohë që kanë ngritur akuza për tjetërsimin e shtëpisë, e cila është kthyer në lokal, duke shndërruar kështu destinacionin e saj.

Nga ana tjetër, pala e akuzuar pretendon se ka pronësi të plotë mbi godinën dhe nuk është dëmtuar asgjë nga objektet që ajo mbart prej vitesh.

“Shtëpia lokal”

E shndërruar prej vitesh në një vilë-lokal, ish-shtëpia e patriotit është bërë së fundmi objekt i konflikteve për pronësinë.

Ndërkohë që një pikë tjetër debati është çështja e zhdukjes së objekteve me vlerë që kanë qenë në inventar në momentin e lidhjes së kontratës së qirasë mes trashëgimtarëve dhe një arkitekti korçar.

Ky i fundit tashmë ka pjesën më të madhe të aksioneve që nga vitit 2006.

Vila “Themistokli” është kthyer në një “mollë sherri” për çështje pronësie, duke çuar deri në ndërhyrjen e policisë në raste përplasjesh mes palësh.

Disa herë trashëgimtarë të patriotit, që pretendojnë se kanë pjesë në bazë të certifikatave dhe testamentit, kanë hyrë në shtëpinë muze që figuron në pronësi të arkitektit Ilir Voci si bashkëpronar me pasardhësit e Themistokli Gërmenjit.

Nga ana e tyre, pasardhës të familjes, që pretendojnë me akte pronësie se kanë pjesë në shtëpinë muze, hedhin akuza se këtij objekti i janë shkatërruar vlerat historike, duke u përdorur për qëllime të tjera.

Për këtë, Llambi Dhimoshi, nip i gruas së patriotit Themistokli Gërmenji, ka denoncuar publikisht faktin se ish-muzeu nuk është më funksional dhe se vlerat e shumta që kjo shtëpi ruante, kanë humbur.

Top Channel