Abuzim me çmimin e bukës

10/08/2010 15:25

Furnizuesit e miellit abuzojnë me rritjen e çmimit të miellit duke e përcjellë atë edhe tek prodhuesit e bukës.

Sipas komisionerit të autoritetit të konkurrencës që nga janari deri në qershor në vendet nga ku importohet gruri ka pasur luhatje te vogla të çmimit dhe kjo është shfyrtëzuar në mënyre abuzive nga importuesit e grurit në Shqipëri duke e rritur çmimin për prodhuesit e bukës në mënyrë artificiale.

Nga monitorimet e këtij autoriteti, ndonëse ka patur një rritje të vogël të çmimit të grurit, ajo është reflektuar në një masë më të madhe në Shqipëri dhe nga ana tjetër ka pasur dhe një rënie të vlerës së dollarit.

Për më tepër një ditë më parë është shënuar një rënie e çmimit të grurit në bursë gjë e cila nuk është reflektuar nga operatorët tanë duke vazhduar edhe gjatë rritjen e çmimit për një kuintal miell.

“Nga konstatimet tona mund të them se dje dhe sot ka një rritje abuzive të çmimit të miellit dhe kjo përbën problem si për konsumatorët, por edhe tregtarët. Ka një situatë kur operatorët kanë filluar të keqpërdorin rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare në muajn korrik”, është shprehur Koço Broka, komisioner i Autoritetit të Konkurencës.

Sipas Brokës, kërkohet angazhimi i të gjitha strukturave si drejtoria e doganave, ajo e tatimeve, inspektoriatet e ndryshme shtetërore për t’i thënë stop abuzimit të fabrikave të miellit.

Ky autoritet i cili mbron konkurencën e lirë do të hetojë të gjitha subjektet, faturat që realisht nuk dëshmojnë atë çmim me të cilin ata deklarojnë se kanë blerë miellin nga importuesi.

“Monitorimi i faturave të miellit është një ndër objektivat tanë kryesorë. Po vihen re shenja të dukshme të abuzimit të çmimit nga operatorët. Në të tilla raste abuzimi, gjoba shkon nga 2-10 përqind të xhiros totale dhe në varësi të dëmit të shkaktuar për bizneset e tjera dhe konsumatorit”, deklaroi Broka.

Çmimi i bukës në Tiranë u rrit me 10 lekë në të gjitha furrat e bukës menjëherë sapo u paralajmërua nga disa prodhues buke.

Top Channel