Virusi i Nilit Perëndimor, masa për Shqipërinë

09/08/2010 10:50

Virusi i Nilit Perëndimor, që tashmë ka prekur Greqinë, mund të jetë burimi i epidemisë për prekjen e territorit shqiptar.

Nisur nga statistikat e pikave kufitare për emigrantët të cilët vijnë në atdhe çdo ditë e më shumë, frika se virusi mund të transferohet nga Selaniku në Shqipëri ka krijuar dyshime për autoritetet shëndetësore shqiptare.

Dy ditë më parë, mediat greke kanë raportuar për pacientët e parë të dyshuar si të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor, ndërkohë që janë në proces rezultatet e analizave për 11 persona.

Ndërsa dy raste tashmë janë konfirmuar, autoritetet shëndetësore shqiptare po mendojnë për një takim të Task Forcës, e njohur ndryshe si Komisioni i Sëmundjeve Infektive.

Komisioni

Pavarësisht se ndodhemi në pikun e sezonit të pushimeve verore, përsëri specialistët e sëmundjeve infektive do të gjejnë kohë dhe mundësi për t’u mbledhur dhe për të diskutuar lidhur me masat, monitorimin e situatës në vend për fluksin e emigrantëve të kthyer nga Greqia.

“Edhe vendi ynë rrezikohet nga virusi i Nilit Perëndimor, që është një sëmundje infektive. Nisur nga të dhënat në vendin fqinj, sot do të thërriten për diskutime komisioni i specialistëve për sëmundjet infektive, për të diskutuar rreth masave dhe për të shqyrtuar informacionin e deritanishëm”, sqaroi drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, ky lloj virusi është i rrezikshëm për shkak se në një pjesë të madhe të rasteve nuk shfaq simptoma.

Virusi i Nilit futet në grupin Flaviviridae, njohur ndryshe si kompleks virusesh. Shfaqet si në zonat tropikale ashtu edhe në zonat me klimë të butë. Në të shumtën e rasteve infekton zogjtë, qentë, macet, lepujt, kuajt, qelbësin, ketrat.

Top Channel