Pogradeci pret sot “Europa në ekran”

09/08/2010 10:30

Nis sot në qytetin e Pogradecit, Java e IX të Kinemasë Spanjolle: “Europa në ekran”.

Aktiviteti i cili do të zgjasë deri më 13 gusht, do të sjellë për publikun projektimin e një serie filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së si Portugalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat që, si Spanja ashtu edhe Europa ka përballuar në 50 vitet e fundit, dhe me pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë europiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle.

Java e filmit spanjoll do të inaugurohet sot me shfaqjen e filmit “Një frankë, 14 peseta” (2006) me regji të Carlos Iglesias.

Para inagurimit dhe fillimit të projektimit të filmit, do të zhvillohet një koncert i organizuar nga Bashkia Pogradec.

Filmi vendoset në Spanjën e viteve 1960, ku dy miq, Martíni dhe Markos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune.

Lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re në Europën e progresit dhe të lirive.

Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm me të cilën duhet të përshtaten, duke punuar si mekanikë në fabrikën të një fshati të vogël industrial.

Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre, Pablo, si dhe të Maria Karmenit, që është e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, që të dy bënin në atë vend plot liri.

Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinin, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet.

Me vdekjen e babait të Martinit, mendojnë se atë që kishin kërkuar e kishin arritur tashmë, dhe vendosin të kthehen.

Për çudi të tyre, do të jetë më i vështirë kthimi sesa largimi.

Top Channel