Mbetjet urbane, kontroll firmave të pastrimit

09/08/2010 11:15

Në kushtet e temperaturave të larta, shqetësues në Tiranë është pastrimi i koshave, ku hidhen mbeturinat. Në pak raste bëhen dhe burim i infeksioneve tek qytetarët.

Duke qenë se zonat urbane janë konsideruar problematike për sa i përket mbetjeve, firmat e kontraktuara nga bashkia do të monitorohen edhe nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit.

“Ka pasur më përpara sanksione dhe për firmat e pastrimit, po shpresoj që së shpejti dhe firma që kryen pastrimin në Bashkinë e Tiranës ndoshta do të jenë objekt kontrolli për inspektorët tanë. Sigurisht, gjithmonë për përmirësimin e mjedisit dhe për Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit të Mjedisit.

Në vitet e mëparshme, gjobat që vendoseshin nga Ministria e Mjedisit, nuk vileshin nga pushteti lokal, por tashmë baza ligjore ka ndryshuar.

“Gjobat që vendoste Ministria e Mjedisit deri në njëfarë mase nuk konsideroheshin. Unë mund t’ju them që të paktën me miratimin e ligjit për kundërvajtjet administrative, tanimë me gjobat e Ministrisë së Mjedisit merret drejtpërdrejt Përmbarimi. Pra, janë gjoba që kanë titullin ekzekutiv”, sqaroi Deshati.

Një nga pikat që parashikon kontrata që kanë lidhur firmat e pastrimit është larja dhe dezinfektimi i koshave, larja dhe fshirja e rrugëve, si dhe e trotuareve.

Top Channel