Ndotja e plazhit në Durrës, inspektoriati vazhdon penalitetet

08/08/2010 16:30

Prej disa vitesh, qindra subjekte, por edhe komplekse pallatesh, të ndërtuara përgjatë bregdetit të Durrësit, ujrat e zeza  vazhdojnë t’i  derdhin direkt apo nëpërmjet kanalizimeve në det. Kjo ka bërë që ngarkesa mikrobiologjike në ujë dhe në rërë të jetë shumë e lartë.

Ministria e Mjedisit ka vendosur që gjate muajit gusht, por edhe në vijim  jo vetëm të shkatërroje të gjitha lidhjet e subjekteve që derdhin ujërat e zeza në det, përmes kanalizimeve por edhe direkt, por edhe të bëjë kallëzim penal për ta.

“Kjo është një punë e filluar nga inspektoriati i kontrollit dhe nuk do të pushojë edhe në përfundim të këtij sezoni turisik ne do të vazhdjmë punën tonë deri kur të gjitha subjektet që operojnë në zonat bregdetare të mos bëjnë më shkarkimin e ujërave të zeza në det. Siguroj dhe premtoj që vitin tjetër nuk do të jetë më problem për shqiptarët ndotja e plazheve. Do shkojmë deri në ndjekje penale”, deklaron Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit në Ministrinë e Mjedisit.

Ky aksion i cili është ndërmarrë në kulm të sezonit turistik, ka shkaktuar problem tek pushuesit, të cilet janë përballur me kanale të hapura dhe erë të rëndë. Ministria e Mjedisit saktëson se i takon pushteti lokal të ndërhyjë për rehabilitimin e menjëhershëm të zonës.

“Në çdo shkatërrim që bëjmë ne të tubacionit është pushteti lokal që merr masat për rehabilitimin e zonës në të cilën ne operojmë. Këto subjekte duhet të vazhdojnë sipas ligjit, me autobot, duke bërë pastrimin ditor”, saktëson zoti Deshati.

Të gjitha subjektet apo pallatet të cilat kanë marrë leje duhet që ujërat e zeza t’i depozitonin në gropa septike. Por ajo çka e bën edhe më të vështirë punën e inspektoriatit është mosidentifikimi i pronarëve të pallateve, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për mosrespektimin e lejeve mjedisore.

Të dhënat e specialistëve tregojnë se shkarkimet e ujërave të zeza në det  ka bërë që gjendja të paraqitet problematike tek zona e Currilave, në  plazhin Zhiron tek Brryli, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, tek Plepat e deri në Golem

Top Channel