PS: Vokshi, 4 miliardë usd naftë

07/08/2010 15:05

Për të disatën ditë me radhë Partia Socialiste ka artikuluar akuza të forta ndaj deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila sipas deputetëve të opzitës ka përfituar rreth 4 miliardë dollarë në sajë të rezervave të naftës të dhuruara me vendim të Këshillit të Ministrave.

“Sot do të tregojmë disa detaje të tjera të pasurimit të Albana Vokshit, ish-këshilltares për ekonominë të kryeministrit. Nën këshillimin e saj, por me vendim të tijin, Berisha i kaloi burrit të këshilltares kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vite. Rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej afër 4 miliardë dollarësh, sipas një llogaritjeje të vetë kompanisë”, ka deklaruar deputeti socialist Artan Gace.

Socialistët e cilësojnë rastin Vokshi si tregues të mënyrës së funksionimit të shtetit mbi baza korruptive dhe abuzuese.

“Kompania e Vokshit dhe Tartarit po nxjerr miliona dollarë duke paguar shtetin shqiptar me thërrime. Sali Berisha i ka falur deputetes Vokshi pasurinë publike të shqiptarëve. E kuptoni, Sali Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliardë dollarë të pasurisë publike. Ndërsa taksat që paguan kjo kompai në arkën e shtetit janë qesharake, 2-6%”, ka saktësuar Gace.

Socialistët treguan më herët fakte që lidhen me disa licensa të dhëna në kohën kur deputetja Albana Vokshi ishte këshilltare e kryeministrit.

Sipas socialistëve, bashkëshorti i deputetes ka marrë licensa për hidrocentrale, ndërsa në deklaratën e pasurise së saj nuk reflektohet asnjë prej këtyre përfitimeve për të cilat opozita akuzon se janë tërësisht abuzive.

Top Channel