Vendosja e Maqedonisë në grupin e vendeve me kufij të pabetonuar dhe parashikimet se në një ridefinim eventual të kufijve të Ballkanit do të prekej edhe vendi rezultojnë me raporte të vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, ku shteti vlerësohet si mesatarisht stabil.

Ekspertë nga sfera e sigurisë thonë se edhe gjatë kohës vlerësimet do të jenë në këtë formë me një dozë rezerve për tre shtetet e Ballkanit Perëndimor – Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën, për të cilat ende nuk është e qartë ardhmëria e tyre si shtete.

Këshilltari i dy ish-presidentëve për çështjen e sigurisë, Stevo Pendarovski, thotë se ky vlerësim për Maqedoninë në vite do të jetë i njëjtë duke shtuar se ende ka çështje të hapura në rajon.

Ai shton se si rezultat i këtyre vlerësimeve neutrale në Maqedoni nuk ka investime të jashtme.

“Në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke filluar nga Kroacia, Serbia dhe Shqipëria në pjesë të madhe paraqiten në të gjitha raportet si vende demokratike me një stabilitet të qëndrueshëm. Ndërsa tri vendet e tjera Maqedonia, Kosova dhe Bosnja në të ardhmen do të jenë vende me stabilizim të mesëm. Duke u bazuar në paralajmërimet nga SHBA-ja dhe BE-ja për ndryshimin e ‘Dejtonit’, mund të thuhet se këto shtete nuk kanë definuar çështjet e kufijve dhe sovranitetit territorial dhe të njëjtat mund të ndryshojnë. Dhe nga këtu paraqiten dyshime për të ardhmen e këtyre tri shteteve”, thotë Pendarovski.

Sipas tij, edhe marrëdhëniet ndëretnike luajnë rol në këtë aspekt, por është edhe një problem tjetër më i madh që ka të bëjë me çështjen e emrit.

Top Channel