Lushnje, shqetësim nga rrjedhjet e gazit

05/08/2010 12:30

Kalimi i një tubacioni nga puset e gazit përmes lagjes së Bubullimës, në Lushnje, ka sjellë probleme dhe shqetësim për banorët.

Vetëm dy ditë më parë, si shkak i amortizimit të tubacionit mëse 40 vjecar, rrjedhjet e gazit në natyrë kanë bërë që familjarët të njoftojnë ndërmarrjen e “Albpetrolit” në Fier për ta mbyllur.

Në fakt, ndërmarrja ka marrë masat për zëvendësimin e një pjese të dëmtuar të tubacionit, por nuk e ka përfunduar tërësisht.

“Janë 20 familje që kur ngrihen në mëngjes i mbyt era e gazit. Nga shpërthimi u ndez flaka dhe nuk qëndronte dot njeri rreth e përqark. Nuk ka ardhur asnjeri ta rregullojë”, tregon një banor i zonës.

I kontaktuar në telefon, kryetari i komunës Bubullimë, Todi Xhunga konfirmon problemin e banorëve të lagjes periferike dhe gjithashtu se ai, në cilësinë e drejtuesit vendor, ka njoftuar me anë të disa shkresave zyrtare drejtuesit e ndërmarrjes së shfrytëzimit të puseve të gazit për të larguar këtë tubacion nga territori i Bubullimës.

Top Channel