Divjakë, plazhi i ndotur

05/08/2010 12:20

Plazhi i Divjakës mund të përmendet si një nga plazhet më të ndotura në vendin tonë, por sërish ai mbetet mjaft i frekuentuar.

Dikur, hapësira e pamasë e rërës dhe deti ishin mjaft të pastra, por sot të lahesh në detin e Divjakës është vërtet një sipërmarrje e vështire për të gjithë.

“Nuk ka fare pastërti. As rëra nuk është e pastër. Po të shtrihesh të ngjiten bizhdilat”, tregon një pushuese. “Kisha prenotuar pa e parë, por tani u pendova. Është për të ardhur keq”, thotë një tjetër.

Ka edhe nga ata të huaj që e vizitojnë cdo vit Divjakën, por shija që u mbetet në fund i bën të mos kthehen më, sepse duhet punë për të mabjtur pastër një det të mrekullueshem si ai i Divjakës.

“Kushtet do të ishin më të mira nëse nuk do të kishte kaq shumë papastërti”, shprehet një vizitor italian.

Mbeturinat e hedhura në pyll janë një tjetër problem shqetësues që duhet zgjidhur nga ana e njësisë bashkiake, e cila duhet të jetë më pranë pushuesve.

Plazhin e Divjakës e frekuntojnë cdo ditë në këtë periudhë mbi 1000 automjete dhe mbi 6 mijë pushues, por kapacitetet e pritjes me hoteleri nuk janë të mëdha.

Kabinat janë një tjetër problem sepse duhen rikonstruktuar. Në plazhin e Divjakës ushtrojnë aktivitetin e shërbimeve rreth 80 lokale të cilat i paguajnë një shumë mjaft të kripur njësisë vendore, e cila mjaftohet vetëm me heqjen e një pjese të mbeturinave nga konteinerët dhe nuk ka një politikë të qartë zhvillimi për këtë perlë të natyrës shqiptare.

Top Channel