Durrës, ujërat e zeza në det

04/08/2010 09:15

Adriatiku vazhdon të ofrojë ujëra të ndotura, për shkak të derdhjes në to të ujërave të zeza.

Mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza në një pjesë të mirë të plazheve e ka kthyer detin në një impiant gjigant natyror, që shpëlan tualetet e mijëra ndërtimeve në bregdet.

Mjafton të bësh plazh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, Golem, në Currila dhe të kalosh aty ku nis shëtitorja bregdetare e Durrësit për të nuhatur i detyruar aromën e ujërave të zeza që derdhen në det dhe kundërmojnë.

Operatorët turistikë që veprojnë në zonën e plazhit matanë Plepave, deklarojnë se situata është më se e njohur nga ata, por edhe nga ndërmarrjet shtetërore.

Duket paradoksale, po megjithëse kanalizimet në pjesën e Shkëmbit të Kavajës mungojnë, subjekteve atje u faturohet rregullisht tarifa aforfe mujore për kanalizimet dhe ujin e pijshëm, ndërsa as tubacion për ujin nga ujësjellësi i Durrësit nuk kanë.

“Çdo ditë ne paguajmë afro 70 euro për dy autobotet e firmës private që ofron shërbim për të larguar ujërat e zeza nga gropa septike e hotelit tonë, por shumë të tjerë nuk i hedhin poshtë këto para dhe i derdhin në det ujërat e zeza. Ora 02.00 e natës është ora më e përshtatshme që përdoret nga shumë veta për të bërë zbrazjen”, tregon për gazetën “Shqip” një nga operatoret turistike në plazhin e Shkëmbit të Kavajës.

Janë 5 milionë euro të akorduara nga Banka Gjermane për Zhvillim që po përdoren për zgjidhjen e një prej problemeve më gangrenë të kësaj pjese të zonës bregdetare, ku rrjeti i kanaleve të ujërave të zeza mungon dhe qindra godina shumëkatëshe dhe objekte të tjera funksionojnë me gropa septike, mbetjet e të cilave shpesh përfundojnë në det dhe rezultatet e analizave të ujit të detit të tejngopur nga fekalet e dëshmojnë këtë.

Ndërtimi i kanalizimeve kryesore dhe dytësore synon të lidhë çdo pallat e shtëpi me rrjetin, ndërkohë që parashikohet edhe ndërtimi i disa puseve për thithjen dhe shtyrjen e ujërave drejt impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në Karpen.

Por investimi është në rrugë e sipër dhe pushuesit do të vazhdojnë të lahen në një det të ndotur, ndërsa kambanat mediatike dhe të strukturave shëndetësore do të vazhdojnë të bien, duke tingëlluar si antisezon, pavarësisht qëllimit për të vënë në lëvizje dhe zgjidhur këtë problem të madh që cenon rëndë cilësinë e të pushuarit në vend.

Jo vetëm aty ku rrjeti i kanalizimeve mungon, por edhe në Durrës ku ekziston, ujërat e zeza derdhen në det.

Në mungesë të një impianti filtrues, bashkë me ujërat e zeza të Durrësit dhe rrethinave të tij në det zbrazen çdo ditë sasi të mëdha kimikatesh me pasoja për shëndetin e lëkurës së pushuesve, por edhe më të rënda për florën dhe faunën detare.

Pavarësisht rolit të rëndësishëm që ka hidrovori i Porto Romanos, i ngritur në veri të Durrësit, edhe ai vetë është një ndotës i madh, për shkak të mungesës së impiantit filtrues, amortizimit dhe mungesës së investimeve.

Në hidrovor mblidhen të gjithë ujërat e qytetit të papërpunuara, së bashku me ujërat e zeza, ato urbane dhe ato që janë rrjedhojë e aktivitetit të bizneseve të shumta dhe prej këtej ato derdhen në det, duke ndotur ujërat e Adriatikut.

Ndërkaq, një sasi e konsiderueshme e detergjenteve larës që përdorin qindra mijëra familje për makinat e tyre larëse derdhen të papërpunuara në Adriatik.

Top Channel