Ofensiva e policisë rrugore

03/08/2010 16:05

Alkool në fundjavë? Nuk është aspak e ndaluar, por me kusht që të mos drejtosh makinën. Policia rrugore e mbështetur nga task force e ngritur enkas për sezonin veror ka nisur kontrollet në të gjitha qytetet turistike.

Përgjatë dy fundjavave policia ka bllokuar rreth 256 patenta të drejtuesve të mjeteve të cilët sipas alkoolmetrit kanë dalë se ishin në gjendje të dehur.

Këtë të shtunë dhe të dielë 56 patenta janë pezulluar vetëm në qytetin e Vlorës, 110 të tjera në qytetin bregdetar të Durrësit, 30 të tjera në Velipojë dhe pjesa tjetër në Sarandë dhe Pogradec.

Këto statistika zyrtare deklarohen nga burime të TCH, të cilat pohuan se kanë nisur kontrolle të rrepta në të gjitha akset kryesore.

Por nuk mbeten pas edhe të dhënat për patenta të pezulluara për shkak të mbishpejtësisë.

Të shtunën dhe të dielën sipas task forcës rrugore janë bllokuar 1000 patenta, pasi drejtuesit e mjeteve udhëtonin tej normave të lejuara të shpejtësisë.

Këto kontrolle vijnë pas aksidenteve të shumta në rrugët e vendit, më së fundmi më i rëndi, aksidenti tragjik i Fushë-Arrëzit.

Burime të TCH pohuan se është konstatuar se mjetet ecnin me mbishpejtësi në aksin nacional të Kukësit, në aksin e Fierit dhe në aksin Korçë-Kapshticë.

Ndërkohë operacioni i policisë rrugore ka gjobitur edhe 300 drejtues kamionësh të cilët pas kontrolleve rezultojnë se nuk e kishin të instaluar tahometrin ose kutinë e zezë, një aparaturë e domosdoshme me këto mjete e cila tregon se me çfarë shpetësie ka ecur edhe më parë dhe në çfarë gjendjeje është ai.

Policia po zhvillon kontrolle edhe ndaj mjeteve të transportit publik për të verifikuar nëse shoferët e kanë vendosur tahometrin në automjet.

Top Channel