Makinat qeveritare, ankand të ri

03/08/2010 08:25

Vazhdon ankandi i shitjes së makinave shtetërore. Pavarësisht se afati i fundit ishte parashikuar deri në fundin e muajit maj, Ministria e Financave ka zhvilluar gjatë muajit korrik ankandin për shitjen e 10 automjeteve të përdorura, që më parë i mbante nën administrimin e saj.

Disa këshilltarë të Kryeministrit Berisha nuk kanë arritur dot të blejnë automjetet e dala në ankand, pasi kanë paraqitur çmime më të ulëta se konkurrentët e tyre.

Këshilli i Ministrave, nga 16 makina të nxjerra në ankand në maj 2010, ka përfituar gjithsej 6.2 milionë lekë.

Ministria e Financave ankandin e fundit për makinat shtetërore e ka zhvilluar më 13 korrik, duke përfituar gjithsej për 10 automjete shumën prej 1.4 milionë lekësh.

Ndërsa Ministria e Transportit ka përfituar shumën prej 1.9 milionë lekësh për të gjitha makinat e nxjerra në ankand.

Për këto tri institucione që kanë përfunduar tashmë ankandin e makinave shtetërore, vlera totale e grumbulluar është 9.2 milionë lekë.

Një shifër relativisht e vogël në krahasim me 15 milionë euro, shifër kjo e cila pritej në fakt të përftohej nga ky proces. Të dhënat janë të pasqyruara në faqen zyrtare të tri dikastereve të sipërpërmendura.

Top Channel