“Lufta” për pronat

03/08/2010 16:45

Një godinë, në thellësi të lagjes “Ali Demi”, në Tiranë, u vizitua dy ditë më parë nga deputeti socialist Eduart Shalsi. Dy ditë më pas, ajo vizitohet nga deputeti demokrat Florian Mima. Në godinë banojnë disa familje ish-të persekutuarish.

Në këtë zonë të periferisë së kryeqytetit, zgjedhjet e shkuara kanë lënë gjurmët e tyre. Një vit më pas, godina dhe banorët nuk i kanë shpëtuar ndikimit direkt të politikës në jetën e tyre.

Sipas një vendimi të vitit 2005 të këshillit bashkiak të Tiranës, godina është pjesë e inventarit të pronave të paluajtshme të Bashkisë. Kjo është njohur edhe nga një vendim i vitit 2006 i qeverisë “Berisha”.

Por më 27 korrik të këtij viti, qeveria vendosi t’ia kalojë godinën entit të strehimit në mënyrë që banorët që rrojnë në të, të mund ta privatizojnë.

“Këto ditë, qeveria shqiptare ka marrë një vendim që i bën nder asaj, i bën nder shtresës së të persekutuarve, që ky objekt të kalojë në fond banese për t’u privatizuar më vonë nga familjet që banojnë në të. Jam këtu si deputet i zonës për të qetësuar banorët dhe për t’i garantuar që asgjë s’do të ndodhë. Askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe t’i kërcënojë ata për t’i nxjerrë jashtë nga objekti ku banojnë”, deklaroi Mima.

Eduart Shalsi, tashmë deputet socialist, por që ka mbajtur për vite me radhë postin e nënkryetarit në Bashki, protestoi duke e quajtur vendimin si uzurpim të kompetencave të pushtetit lokal. Godina tha ai, ishte destinuar për kopësht, për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit.

Top Channel