Vdekja e minatorit, pranga administratorit të firmës

02/08/2010 10:30

Vdekja e një minatori të ri nga fshati Surroj një ditë më parë, ndërsa gërmonte për të nxjerrë mineral kromi, nuk ka kaluar në heshtje nga policia lokale.

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, Odeta Popa, ka pohuar dje se në orët e para të së dielës është ndaluar Naim Ademi, 36 vjeç, nga Surroj, administratori i firmës ku një ditë parë humbi jetën minatori Sefer Ademi, si dhe u plagos minatori tjetër Miftar Sina.

Burimi në fjalë sqaroi se administratori Ademi do të përballet me akuzat e “shpërdorimit të tokës dhe tjetërsimit të saj”, si dhe “moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë”.

Ndërkaq burime nga Komuna e Surrojit tregojnë se administratori Ademi, me banim në Tiranë, është rikthyer vitet e fundit në fshatin e Lindjes në Surroj, në lagjen e sipërme Karpat, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit dhe ka çelur disa “vendburime” kromi duke zënë masivet e malit në emër të pronës private.

Por sipas administratës së komunës, ai nuk ka tapi që të vërtetojë pronësinë mbi to.

“Ka zënë disa pika duke hapur gropa dhe duke shembur me fadroma masive dheu, duke sqaruar vetëm se kjo pjesë është zënë prej tij”, pohon një këshilltar i komunës Surroj, duke përshkruar aktivitetin e firmës së administratorit Ademi.

Ceremonia mortore

Të afërm, miq dhe bashkëfshatarë të tij kanë përcjellë dje për në banesën e fundit 34-vjeçarin Sefer Ademi.

Në një bisedë me të afërm të viktimës mësohet se ai nuk kishte kontratë pune me firmës krom-nxjerrëse, por atë ditë kishte zëvendësuar të vëllain.

“Seferi i ndjerë nuk ka qenë punëtor i firmës në nxjerrjen e kromit, por ka shkuar atë ditë për të zëvendësuar të vëllain”, tregon një person i afërt me familjen e viktimës.

Nga ana tjetër disa fshatarë që e njohin terrenin, flasin se shpati i malit ku kanë qenë duke punuar punëtorët, shembet vazhdimisht, aq më tepër që nga gërmimet aty ishte krijuar një gropë dhe vetëm pakujdesia ka bërë që shembja e malit të mos vihet re.

Masivet e Surrojit, të pasura me hekur-nikel dhe krom si dhe minerale të tjerë, ende nuk përfshihen në hartën e miratuar qeveritare të shfrytëzimit të mineraleve.

Kryetari i komunës së Surrojit, Halil Alia, sqaron për “Shqip” se në zonë vazhdojnë kërkimet, si dhe përpjekjet për të nxjerrë sasi kromi një numër firmash, por ende nuk ka kantiere minerare të vendosura, ndonëse nuk kanë munguar tentativat nga vendës dhe të huaj.

“Krahas firmave të licencuara vendase, në zonën tonë kanë ardhur disa herë edhe firma të huaja, por asnjë prej tyre nuk ka qenë serioze në këtë mes. Vijnë, bëjnë sikur kanë programe të forta dhe ikin”, tha ai, duke shtuar se përbën një problem edhe fakti që banorët e fshatrave hiqen si pronarë duke pushtuar pikat e mundshme nga mund të nxirren mineralet.

Top Channel