Rrjolli, me urë pas 60 vjetësh izolim

02/08/2010 10:05

Banorët e fshatit Rrjoll në Komunën e Velipojës, prej gjashtë dekadash jetojnë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit.

Ndërtimi i një ure prej dërrase për kalimtarët dhe nisja e projektit për ndërtimin e rrugës automobilistike, po krijon mundësinë që pas më shumë më shumë se 60 vjetësh, fshati turistik i Rrjollit të lidhet me pjesën tjetër të komunës.

Aktualisht është në përfundim ndërtimi i urës 250 metra të gjatë dhe dy metër e gjerë, e cila  plotëson standardet e sigurisë dhe të cilësisë për kalimin e këmbësorëve dhe të motoçikletave.

Fakti që kjo urë prej dërrase po ndërtohet mbi lagunë, ka bërë që ajo të jetë vetëm për kalim këmbësorësh. Në lagunë nuk lejohet asnjë formë tjetër ndërtimi dhe për më tepër, ura nuk lejon të kalojë as makina për efektin e ndotjes që krijojnë makinat.

Aktualisht ky fshat ka si rrugë të vetme lidhjeje me pjesën tjetër të vendit, një rrugë rrëzë mali që nuk mund të përshkohet as nga automjetet e vogla.

Banorët e Rrjollit, në këto kushte kalonin me varka dhe mjete primitive Lagunën e Vilunit për të dalë në plazhin e Velipojës.

Para tri vitesh,  banorët e zonës ndërtuan një urë modeste prej dërrase, e cila aktualisht në disa vende është shembur dhe pothuajse e pakalueshme.

Kryetari i Komunës së Velipojës, Nikollë Marku, është shprehur për gazetën “Shqip”:

“Fshati Rrjoll është një zonë  që nuk është përfshirë kurrë në investime, për më tepër që ka qenë një zonë e izoluar. Për këto arsye, ndërtimi i urës ka qenë tepër i domosdoshëm për banorët e zonës, të cilët duhet të përshkonin lagunën ose të udhëtonin rrëzë malit për të dalë nga fshati”.

Më tej, kreu i Komunës së Velipojës ka shtuar se përveç urës për të cilën është siguruar baza materiale, tashmë ka përfunduar edhe një projekt për ndërtimin e rrugës së vjetër të këtij fshati dhe shumë shpejt shpresohet të nisi puna për rikonstruksionin e saj.

Fshati Rrjoll shtrihet në Jug të plazhit të Velipojës dhe shtrihet deri në plazhin e Shëngjinit.

Kjo zonë është një ndër plazhet e virgjëra të bregdetit shqiptar dhe nëse zhvillohet infrastruktura mund të shfaqë një perspektivë të veçantë  zhvillimi të turizmit bregdetar.

Top Channel